Ukraina për herë të parë ka justifikuar publikisht sulmin e saj në territorin rus, mes raporteve se forcat e saj po avancojnë drejt një fshati brenda rajonit Kursk.
Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë në Presidencën ukrainase, ka thënë se “shkaku kryesor i çfarëdo përshkallëzimi”, përfshirë në Kursk, është “agresioni i qartë” nga Rusia që mund të besonte se mund ta pushtonte Ukrainën pa u ndëshkuar.
Kjo deklaratë është e para nga ndonjë zyrtar ukrainas pas heshtjes nga sulmet në rajonin rus, raportoi The Guardian.
“Lufta është luftë, me rregullat e veta, ku agresori në mënyrë të pashmangshme merr mbrapsht rezultate”, ka thënë Podolyak.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një intervistë është dukur sikur po aludon në këto sulme, megjithëse nuk ka përmendur diçka konkrete. Ai ka thënë se “të gjithë mund ta shohin se ushtria ukrainase e di si të befasoj”.
“Rusia e solli luftën në tokën tonë dhe duhet ta ndiej atë që ka bërë”, ka thënë Zelensky.