Botë

Ukraina tërheq nga fronti tanket që ia kërkonte me ngulm SHBA-së

Abrams

Ukraina ka tërhequr përkohësisht nga fronti tanket amerikane “Abrams M1A1”, shkaku i ekspozimit ndaj dronëve rusë, shkruan BBC.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas disa muajsh këmbëngulje nga Ukraina, ranë dakord të dërgonin 31 tanke “Abrams” janarin e kaluar. Kievi pretendoi se tanket, të cilat kushtojnë rreth 10 milionë dollarë secila, ishin çelësi për të thyer linjat ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi në shtator se “Abrams” kishin mbërritur në Ukrainë.

Por beteja ka ndryshuar ndjeshëm që atëherë, kryesisht për shkak të sulmeve të shumta me dronë nga Rusia. Është e vështirë të mbrosh tanket kur dronët i dallojnë. Një dron mund ta shkatërrojë ose ta dëmtojë tankun. Pesë nga 31 tanket amerikane tashmë janë humbur nga sulmet ruse.

Një kundërofensivë e pritshme ukrainase ngeci vitin e kaluar dhe vendosja e “Abrams” në fushën e betejës u pa si hap i domosdoshëm për të thyer mbrojtjen e forcuar të Rusisë. Megjithatë, Ukraina i ka vendosur ato vetëm në një masë të kufizuar.

Disa tanke u humbën në tërheqjen e fundit nga Avdivka, një qytet në Ukrainën lindore që ka qenë subjekt i luftimeve të ashpra për muaj të tërë.

Përhapja e dronëve në frontin ukrainas do të thotë se nuk ka hapësirë për tanket.

Tani për tani, tanket amerikane janë tërhequr nga vijat e frontit. SHBA-ja do të punojë me ukrainasit për të zhvilluar taktika të reja.