Ukraina ka sulmuar Moskën të mërkurën me të paktën 11 dronë, të cilët raportohet se janë rrëzuar nga mbrojtja ajrore.
Zyrtarët rusë kanë thënë se ishte një nga sulmet më të mëdha me dronë në kryeqytet, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Lufta e Ukrainës është përshkallëzuar më 6 gusht kur Ukraina dërgoi mijëra ushtarë në rajonin perëndimor Kursk të Rusisë, raporton Reuters.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se shkatërroi gjithsej 45 dronë mbi territorin rus, duke përfshirë 11 mbi rajonin e Moskës, 23 mbi rajonin kufitar të Bryanskut, gjashtë mbi rajonin Belgorod, tre mbi rajonin Kaluga dhe dy mbi rajonin Kursk.
Disa nga dronët u shkatërruan mbi qytetin e Podolskut, ka bërë të ditur kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin. Podolsk është rreth 38 km në jug të Kremlinit.
“Kjo është një nga përpjekjet më të mëdha për të sulmuar Moskën me dronë”, ka thënë Sobyanin në aplikacionin e mesazheve Telegram në orët e para të së mërkurës.
Sulmi vjen pasi Rusia po përparon në Ukrainën lindore, ku kontrollon rreth 18% të territorit dhe po lufton për të zmbrapsur inkursionin e Ukrainës në rajonin e Kurskut, sulmi më i madh i huaj në territorin rus që nga Lufta e Dytë Botërore.
Aeroportet e Moskës, Vnukovo, Domodedovo dhe Zhukovsky kufizuan fluturimet për katër orë, por ato më pas u rikthyen.
Jamie Shea për KOHËN: Nëse Ukraina i mban territoret e pushtuara në Rusi, bisedimet e paqes mund të afrohen