Këshilli i qytetit të Buchas, në veri të Kievit, ka akuzuar forcat ruse se po bllokojnë evakuimin e civilëve nëpërmjet korridoreve të evakuimit që janë dakorduar, raporton CNN.
“Pushtuesi po pengon evakuimin. Aktualisht, 50 autobusë janë bllokuar nga ushtria ruse në një parking: nuk po lejohet kalimi”, është thënë në postim të Këshillit në Facebook. “Negociatat po vazhdojnë për zhbllokim. Jua kujtojmë se ‘korridoret e gjelbra’ ishin një marrëveshje e nivelit më të lartë”.
Derisa nuk ka pasur përparim në lëvizjen e konvojit të evakuimit nga Bucha, evakuimet nga dy qytete tjera në afërsi duket se kanë nisur.
Kryebashkiaku i Irpinit, Oleksandr Markushyn, në Facebook ka njoftuar se po vazhdon evakuimi e se autobusët janë në qendër të Irpinit.
“Po evakuojmë sa më tepër persona që të jetë e mundur”.
Ndërkohë Kyrylo Tymoshenko, një këshilltar nga Zyra e Presidentit, ka thënë se gjithë fëmijët e ngujuar në një jetimore në Vorzel janë shpëtuar dhe evakuuar, siç janë evakuuar edhe personat që ishin në spitalin lokal të maternitetit.