Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar të mërkurën se forcat e Kievit po vazhdojnë të kapin më shumë territor në rajonin Kursk të Rusisë.
“Ne po vazhdojmë të zgjerojmë territorin nën kontrollin tonë, në zonat e përcaktuara pranë kufirit të Ukrainës”, ka thënë Zelensky në një videofjalim të natës, raporton AP.
Ai ka shtuar se Ukraina po qëndron në komunikim me partnerë të huaj për të furnizuar linjat e frontit, teksa u bëri thirrje kombeve të heqin kufizimet për përdorimin e raketave me rreze të gjatë në sulmet ndaj Rusisë.
“Ne vazhdojmë të këmbëngulim që vendosmëria e tyre tani, heqja e kufizimeve për sulmet me rreze të gjatë për Ukrainën, do të na ndihmojë për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur në një mënyrë të drejtë për Ukrainën dhe botën në tërësi”, është shprehur Zelensky.
SHBA-ja kufizon përdorimin e raketave balistike me rreze të gjatë veprimi që i ofron Ukrainës, e cila dëshiron t'i përdorë ato drejt objektivave ushtarake brenda Rusisë.
Sulmet intensive të kohëve të fundit ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë në të dy anët, ka intensifikuar presionin ndaj administratës së Bidenit për të lehtësuar qasjen e saj ndaj përdorimit të armëve perëndimore në sulmet ukrainase.
Administrata Biden thotë se kufizimet në këtë aspekt janë të nevojshme për të shmangur provokimin e hakmarrjes nga presidenti rus, Vladimir Putin.