Botë

Ukraina përdor për herë të parë raketat amerikane ATACMS

Ukraina ka përdorur për herë të parë raketat amerikane me rreze të gjatë veprimi, ATACMS, ka njoftuar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton BBC.

Komentet e tij kanë ardhur pasi ishte raportuar se këto armë kanë shkatërruar nëntë helikopterë në një bazë ruse në lindje. Ukraina nuk e ka konfirmuar se raketat ishin përdorur atje.

Ukraina ka thënë se sistemi i mbrojtjes ajrore dhe pajisjet tjera ishin në mesin e shënjestrave që u goditën në Berdyansk dhe Luhansk.

Dhjetëra trupa ruse është thënë se janë vrarë apo lënduar në operacionin.

“Kanë performuar në mënyrë shumë efikase. ATACMS janë dëshmuar”, ka thënë Zelensky në adresimin e tij në rrjete sociale.

Ushtria e Rusisë nuk ka komentuar lidhur me këtë.

Administrata e Joe Bidenit më herët kishte refuzuar ta furnizonte Ukrainën me ATACMS, por vendosi që në “javët e fundit” t’i dërgonte raketat në heshtje.