Për ushtarët dhe komandantët ukrainas në vijën e parë të frontit, çdo bisedë që lidhet me armëpushim ende duket si një fantazi e rrezikshme. Ushtarët shprehen se besojnë që luftimet do të vazhdojnë derisa çmimi i luftës të bëhet aq i lartë saqë Kremlini nuk do të mund ta përballojë më dhe derisa Ukraina të bëhet mjaft e fortë për të penguar çdo agresion të mundshëm në të ardhmen
Të rrezikuar nga dronët, nga snajperët dhe të rrethuar nga fusha të minuara, ushtarët që luftojnë në Ukrainë nuk mund të rrezikojnë që të humbasin përqendrimin as edhe për një moment të vetëm.
Kjo është arsyeja pse koloneli Dmytro Palisa, komandant i Brigadës së 33-të të Mekanizuar të Ukrainës, udhëzon ushtarët e tij që të shpërfillin spekulimet për një armëpushim të mundshëm.
“Ata fillojnë të pushojnë, fillojnë të mendojnë shumë, të vendosin syze rozë, duke menduar se e nesërmja do të jetë më e lehtë. Jo”, tha ai nga një bazë ushtarake në frontin lindor. “Ne do gjuajmë derisa të na jepet urdhri për të ndaluar”.
Ndërkohë që diplomatët nga mijëra kilometra larg flasin për një armëpushim të mundshëm, Rusia dhe Ukraina janë të përfshira në beteja të përgjakshme po aq intensive sa çdo luftë tjetër. Luftimet që janë shpërndarë në të gjithë frontin ukrainas, janë pjesërisht, një lojë e vonuar për të fituar tokë dhe ndikim në bisedimet, për të cilat administrata e presidentit amerikan Donald Trump thotë se po përparojnë.
Por kjo është gjithashtu dëshmi e skepticizmit të thellë në lidhje me negociatat: Edhe me hapat e ndërmarrë, si armëpushimi në Detin e Zi, pak ushtarë ose civilë ukrainas besojnë se kjo do të çojë në një paqe të qëndrueshme. Të dyja palët janë ende duke luftuar dhe duke organizuar pozicionet për luftimet e ardhshme.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se beson që Rusia po synon të nisë sulme të reja “për të ushtruar presion maksimal mbi Ukrainën dhe që më pas të lëshojë ultimatume nga një pozicion tjetër”.
Kievi dëshiron t’ia mohojë Moskës këtë avantazh.
Forcat ukrainase mbeten të pakta në numër dhe armatim, ashtu siç kanë qenë qëkur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë më shumë se tre vjet më parë. Por ata kanë arritur të ngadalësojnë përparimet ruse deri më tani këtë vit dhe tani janë të angazhuar në kundërsulme të lokalizuara për të rikthyer tokën që u është marrë.
Analistët ushtarakë që ndjekin zhvillimet në fushën e betejës konfirmojnë se ritmi tashmë i akullt i përparimeve ruse ka ngecur, edhe pse forcat ruse vazhdojnë sulmet përgjatë zonave kryesore të frontit.

Strategjitë e reja të luftës
Në intervistat nga vija e frontit ushtarët dhe udhëheqësit ushtarakë ukrainas kanë vlerësuar disa faktorë që lidhen me qëndrueshmërinë e tyre: Strategjitë e reja mbrojtëse që integrojnë më tepër dronët, përshtatjen e shpejtë ndaj kërcënimeve në ndryshim, shenjat e lodhjes ruse dhe përmirësimin e moralit nën udhëheqjen e komandantit të ri të forcave tokësore, gjeneralin Mykhailo Drapatyi.
“Kjo luftë vazhdon të ndryshojë rregullat”, tha koloneli Palisa. “Kjo do të thotë që ne vazhdimisht duhet të përshtatemi. Çdo natë, para se të flemë, ne duhet të planifikojmë një strategji alternative për nesër”.
Tërheqja e Ukrainës nga pjesa më e madhe e rajonit të Kurskut të Rusisë në fillim të këtij muaji premton të riformojë përsëri kornizat e luftës. Dhjetëra mijëra ushtarë të përkushtuar ndaj fushatës shtatëmujore të Moskës për të rimarrë tokën ruse atje, tani mund të ridislokohen.
Koloneli Oleh Hrudzevych, 35 vjeç, zëvendëskomandant i Brigadës së 43-të të Mekanizuar të Ukrainës, tha se fushata e Kurskut “tërhoqi vërtet një pjesë të konsiderueshme të forcave armike” dhe fuqinë e luftimeve nga pjesët e tjera të frontit.
Për shembull, tha ai, ndërkohë që betejat u zhvilluan në Kursk, pati një rënie prej 50 për qind në numrin e bombave ajrore, një nga armët më efektive të Rusisë, në zonën e Kupianskut në skajin verior të frontit lindor, ku ai është vendosur.
Forcat ruse, tha ai, janë kufizuar në taktikat e “kafshimit të mushkonjave”, sulme të vogla që përgjithësisht përfundojnë me dështim. Por ai pret që Rusia tani mund të rivendosë disa forca në zonën e tij.
Kapiteni Yurii Fedorenko, komandant i Regjimentit 429 të sistemeve pa pilot të Akilit, tha se detyra kryesore përgjatë pjesës verilindore të frontit ishte ngadalësimi i trupave ruse në mënyrë që të mos zgjeronin terrenin e tyre të vogël në lumin Oskil.
Në pamundësi për të ndërtuar ura për shkak të kërcënimit të paraqitur nga dronët dhe artileria ukrainase, forcat ruse kanë përdorur varka të vogla për të transportuar njerëz dhe pajisje përtej lumit nën mbulesën e motit të keq.
Kapiteni Fedorenko tha se për gati një muaj njësitë ruse nuk kishin arritur të zgjeronin pozicionin e tyre dhe vazhduan të paguanin një çmim të rëndë për të mbajtur tokën që kishin.
“Kemi kryer një sulm me dron përgjatë një linje të vogël me pemë rreth 200 metra të gjatë dhe mjaft të ngushtë”, tha ai. “Vetëm në atë rresht ne numëruam rreth 190 trupa të armikut”.
Pamjet e regjistruara nga droni, të cilat ushtria ukrainase i ndau me “The Times”, në përgjithësi mbështesin deklaratën e tij. Por nuk ishte e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur numri i saktë i ushtarëve rusë që u vranë ose u plagosën, ose të mateshin humbjet ukrainase gjatë asaj periudhe kohore.
Qindra kilometra larg, në brigjet e lumit Dnipro në frontin jugor, forcat ruse po kërkojnë pika të dobësuara të fronteve ukrainase për t’i sulmuar.
Dy muaj më parë trupat ruse filluan një seri sulmesh afër lumenjve, duke përdorur rreth 15 deri në 20 varka në çdo sulm, thanë ushtarët, por përpjekjet e tyre dështuan.
Tani ushtria ruse po fillon sulmet hetuese, duke u përpjekur që të avancojë në veri përgjatë lumit drejt qytetit të Zaporizhzhias, i cili është nën kontrollin e Ukrainës. Presidenti Vladimir V. Putin dhe zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë publikisht se qëllimi i tyre është marrja e kontrollit të plotë të qytetit dhe zonës përreth.
Por planet e tyre për të rrethuar Zaporizhzhian u pezulluan kur trupat ruse u ridrejtuan në Kursk, tha rreshteri Andrii Klymenko, i cili ka shumë muaj që lufton në atë zonë. Pretendimi i tij u mbështet nga analistë që përcjellin lëvizjet ushtarake ruse.

“Paqe abstrakte”
Shumica e luftimeve më të ashpra vazhdojnë të përqendrohen në kodrat dhe qytetet industriale të rrënuara të rajonit lindor të Donbasit, ku edhe pas tre vjetësh Rusia nuk ka arritur të marrë kontrollin e dy objektivave të lakmuara: provincave Donetsk dhe Luhansk.
Koloneli Palisa mbikëqyr një pjesë të mbrojtjes ukrainase në jug të Pokrovskut, qytet në Donetsk, ku sulmet ruse përparuan më së shumti vitin e kaluar.
Por koloneli Palisa tha se lufta agresive me dronë dhe taktikat e zgjuara mbrojtëse, tani për tani, kanë zbehur avantazhet e Rusisë. “Armiku nuk ka avancuar asnjë metër në këtë zonë në tre apo katër javët e fundit”, theksoi ai. “Për momentin mund të themi se e kemi stabilizuar situatën”.
Në të njëjtën kohë, shtoi ai, forcave të tij u është dashur që të përshtaten me një kërcënim tjetër mjaft të përhapur: shtimin e dronëve rusë të lidhur me fibra optike që i bëjnë ata imunë ndaj bllokimit elektronik.
“Kur ata nuk kishin fibër optike, ne mund të lëviznim në zonë”, tha ai. Pasi u shfaqën dronët me fibra optike, ai tha se brigada e tij humbi rreth 10 automjete në vetëm shtatë ditë.
“Kjo më bëri të kuptoj se ne duhej të ndryshonim plotësisht qasjen tonë dhe t’i braktisnim plotësisht automjetet”, tha ai.
Ashtu si homologët e tyre rusë, ushtarët ukrainas tani përdorin shpesh biçikleta me kuadrat dhe karroca ose lëvizin më këmbë. Ata shpesh madje veshin mantele që bllokojnë regjistrimin termik përmes dronëve.
Rrjetat janë shtrirë mbi rrugët kritike të furnizimit, një mbrojtje e thjeshtë por efektive që koloneli Palisa tha se kishte përgjysmuar numrin e sulmeve të suksesshme të armikut. Madje ushtarët tani mbajnë armë gjahu së bashku me pushkët e tyre të sulmit.
Në lloj ngjashmërie me filmin aksion “Mad Max” pasi tanket dhe automjetet e blinduara përzihen me makina civile, motoçikleta dhe biçikleta.
Përshtatja e teknologjisë së bashku me një ristrukturim të gjerë të ushtrisë janë strategji që Kievi shpreson se do t’i lejojnë Ukrainës që të vazhdojë të luftojë, edhe pse aleati i saj kryesor ushtarak, SHBA-ja, po tërheq mbështetjen, po përsërit gjithnjë e më shumë narrativën e Kremlinit dhe po i bën presion Ukrainës për negociatat e armëpushimit.
Në vijën e parë të frontit çdo bisedë që lidhet me paqen e qëndrueshme ende duket si një fantazi e rrezikshme.
Ushtarët shprehen se besojnë që luftimet do të vazhdojnë derisa çmimi i luftës të bëhet aq i lartë saqë Kremlini nuk do të mund ta përballojë më dhe derisa Ukraina të bëhet mjaft e fortë për të penguar çdo agresion të mundshëm në të ardhmen.
“Ne po luftojmë për të drejtën për të jetuar”, tha kapiteni Fedorenko. “Amerikanët duhet ta kuptojnë se kjo nuk ka të bëjë me presionin ndaj Ukrainës për një paqe abstrakte. Një paqe e tillë nuk është e mundur, sepse Ukraina nuk e filloi këtë luftë”.