Botë

Ukraina mund t’i mbajë disa avionë F-16 të marrë nga aleatët, thotë një oficer ukrainas

Zelensky me liderët belgë

Zelensky me liderët belgë

Foto: Associated Press

Ukraina mund t’i mbajë disa nga avionët luftarakë F-16 që do të marrë nga aleatët e saj perëndimorë në bazat e huaja, për tu mbrojtur nga sulmet ruse, ka thënë të hënën një oficer i lartë ushtarak ukrainas.

Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia janë zotuar t'i ofrojnë Ukrainës mbi 60 avionë luftarakë F-16 të prodhuar nga SHBA-ja për ta ndihmuar atë të shmangë sulmet ruse. Pilotët ukrainas aktualisht po kryejnë trajnime për të drejtuar avionët luftarakë përpara dërgesave që pritet të fillojnë më vonë këtë vit, raporton AP.

Serhii Holubtsov, kreu i aviacionit brenda Forcave Ajrore të Ukrainës, tha se "një numër i caktuar avionësh do të ruhen në baza ajrore të sigurta jashtë Ukrainës, në mënyrë që ata të mos jenë në shënjestër këtu".

Holubtsov i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ato F-16 mund të përdoren për të zëvendësuar avionët e dëmtuar pasi i nënshtrohen riparimeve, si dhe për trajnimin e pilotëve ukrainas jashtë vendit.

“Në këtë mënyrë, ne gjithmonë mund të kemi një numër të caktuar avionësh në flotën operative që korrespondon me numrin e pilotëve që kemi. Nëse ka më shumë pilotë, do të ketë më shumë avionë në Ukrainë”, është shprehur ai.

Në mars, presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi përsëri aleatët perëndimorë të Ukrainës kundër ofrimit të bazave ajrore nga ku F-16 mund të nisnin fluturime kundër forcave të Kremlinit. 

“Ato baza do të bëheshin një objektiv legjitim", është shprehur ai.

“F-16 janë të aftë të mbajnë armë bërthamore dhe ne gjithashtu do të duhet ta marrim parasysh këtë gjatë organizimit të operacioneve tona luftarake”, ka shtuar Putini.