Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se trupat e tij kanë pushtuar qytetin kyç të Mariinkas në Ukrainën lindore – pretendim që u mohua menjëherë nga Kievi.
Shoigu i ka thënë presidentit Vladimir Putin se njësitë e sulmit kishin marrë zonën e “fortifikuar” pak jashtë Donetskut, kryeqytet i rajonit të kontrolluar nga Rusia.
Mirëpo zëdhënësi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Shtupun ka theksuar se “lufta për Mariinkan” po vazhdon.
Mariinka – që konsiderohet si një portë për në Donetsk - është shkatërruar pothuajse plotësisht.
Në një zhvillim të veçantë, Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar se një nga luftanijet e saj u dëmtua në një sulm ukrainas në portin e Feodosiya në Krimenë e pushtuar. Një person u vra, kanë thënë zyrtarët.
Kreu i Forcave Ajrore të Ukrainës ka theksuar se avionët luftarakë kishin shkatërruar anijen Novocherkassk, e përdorur për lëvizjen e trupave dhe pajisjeve të rënda, në orët e para të së martës.
Shoigu i ka dhënë detaje të martën për dëmtimin e anijes presidentit rus Vladimir Putin, përpara se të deklaronte se forcat ruse e kishin ndalur kundërsulmin e Ukrainës dhe tani po ecnin përpara në të gjitha frontet.
Një ditë më parë, televizioni shtetëror rus e shfaqi duke i thënë Putinit: “Detashmentet sulmuese të grupit të Jugut sot çliruan plotësisht vendbanimin Mariinka, i cili është pesë kilometra në jug-perëndim të Donetskut”.
Mariinka, dikur shtëpia e 10 mijë njerëzve, ka mbetur në duart e Ukrainës gjatë gjithë luftës së Kremlinit në Ukrainën lindore, e cila filloi kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe forcat e saj pushtuan pjesë të rajoneve Donetsk dhe Luhansk.
Kur filloi pushtimi në shkallë të plotë në vitin 2022, Mariinka u vu nën sulmin e pamëshirshëm rus dhe u evakuua.
“Për nëntë vjet, forcat e armatosura të Ukrainës kanë bërë një zonë të fuqishme të fortifikuar, e cila është e lidhur me kalime nëntokësore”, ka theksuar Shoigu, duke shtuar se kjo zonë e fortifikuar tani ishte plasaritur.
Putin e përshëndeti pushtimin e raportuar si “sukses”, duke thënë se trupat ukrainase tani janë shtyrë më larg nga Donetsku, të cilin e kanë bombarduar rregullisht nga Mariinka.
Udhëheqësi i Kremlinit ka njoftuar gjithashtu se forcat ruse tani kanë “mundësinë për të lëvizur në një zonë më të gjerë operacionale” në rajonin e Donetskut.
Më vonë të hënën, ushtria ukrainase mohoi pretendimin rus.
Ishte “e pasaktë të thuash se Mariinka është pushtuar plotësisht”, ka theksuar Shtupun për TV ukrainas.
Uebfaqet ushtarake ukrainase raportuan më herët se trupat ukrainase po qëndronin në një zonë të vogël të Mariinkës perëndimore.
Qyteti është përdorur nga Ukraina si barrierë mbrojtëse që nga viti 2014, kur luftëtarët e mbështetur nga Rusia kapën zona të mëdha të rajoneve lindore Donetsk dhe Luhansk.
Presidenti Putin filloi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Në javët e fundit, forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në disa zona kyçe të një fronti beteje më shumë se 1200 km të gjatë.
Së bashku me Mariinkan, ata janë përpjekur ta rrethojnë Avdiivka - një tjetër qytet kyç afër Donetsk.
Forcat ukrainase po kërkojnë të zgjasin urën e tyre në bregun e majtë (lindor) të lumit Dnipro në Ukrainën jugore.
Javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se ushtria e vendit po planifikonte të mobilizonte deri në 500 mijë njerëz shtesë.
Komentet e tij vijnë pasi Ukraina po përballet me mungesë municionesh mes pengesave të ndihmës nga aleatët e saj kryesorë në SHBA dhe BE.