Autoritetet ukrainase i kanë përditësuar statistikat për humbjet e ushtrisë ruse në luftë, duke bërë të ditur se së fundmi janë eliminuar, plagosur apo zhdukur 980 persona, duke çuar në 522.810 shifrën që nga nisja e agresionit.
Në të dhënat e publikuara të enjten, Ukraina bëri të ditur se janë shkatërruar gjthsej 7928 tanke ruyse, 15.208 mjete të artilerisë luftarake të blinduara, 1009 sisteme të raketave, 846 sisteme ajrore dhe 11.075 mjete ajrore pa pilot.
Në raportin e Shtabit theksohet se janë shkatërruar 359 avionë luftarakë, 326 helikopterë, 2285 raketa lundrimi dhe 28 luftanije. Aty theksohet se që nga 24 shkurti i 2022-s është shkatërruar një nëndetëse, 18.794 automjete për bartje të derivateve dhe 2294 pajisje speciale.
Së fundmi, Norvegjia dhe Lituania janë dy prej shteteve që e kanë ndihmuar ushtrinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, me artileri.
Autoritetet norvegjeze kanë marrë vendim që ta furnizojnë me lëshues të bombave dhe armë të lehta, e Lituania me disa tanke.