Botë

Ukraina ka sulmuar Rusinë me raketa amerikane, thotë Kremlini

Raketat ATACMS

Raketat ATACMS

Foto: Associated Press

Rusia ka thënë se Ukraina ka lëshuar raketa amerikane me rreze të gjatë brenda Rusisë për herë të parë të martën, raporton BBC.

Ukraina ka përdorur Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë (ATACMS) në sulmin në rajonin rus, Bryansk këtë mëngjes, ka thënë Ministria ruse e Mbrojtjes në Moskë.

Pesë raketa janë rrëzuar dhe një është dëmtuar, mbetjet e së cilës kanë shkaktuar zjarr në objektin ushtarak të rajonit, është thënë në deklaratë.

Përdorimi i raketave amerikane është raportuar gjithashtu edhe në mediat ukrainase, por Ukraina nuk ka komentuar akoma.

Zjarri i shkaktuar nga mbetjet e rëna të raketës është shuar shpejt dhe nuk ka pasur viktima, sipas ministrisë.

Ushtria ukrainase më herët ka konfirmuar se ka goditur një magazinë të municioneve në rajonin Bryansk, por nuk ka specifikuar se a janë përdorur ATACMS apo jo.

Ka thënë se sulmi, në një depo rreth 100 kilometra nga kufiri afër qytetit Karachev, ka shkaktuar 12 eksplodime sekondare.

Ndërkohë, të martën presidenti rus Vladimir Putin miratoi ndryshime në doktrinën bërthamore të Rusisë, duke vendosur kushte të reja, në të cilat Rusia do ta konsideronte përdorimin e arsenalit  bërthamor.

Tani thotë se nëse një sulm nga një shtet jobërthamor, mbështetet nga një fuqi bërthamore, do të trajtohet si sulm i përbashkët ndaj Rusisë.