Moska ka konfirmuar se forcat ukrainase kanë dëmtuar urën e tretë, pasi kishin goditur dy të tjera në ditët e fundit, të përdoruara për furnizimin e trupave.
Ndërkaq, zyrtarë ukrainas kanë deklaruar se po e arrinin qëllimin në inkursionin dy-javor në rajonin e Kurskut të Rusisë, raporton Reuters.
Kievi zyrtar ka thënë se ka kapur mbi 80 vendbanime në një sipërfaqe prej më shumë se 1,150 km katrorë në Kursk që nga fillimi i një sulmi të befasishëm më 6 gusht, sulmi më i madh ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar të dielën në mbrëmje se sulmi në rajonin e Kurskut në kufi me Ukrainën lindore ka për qëllim krijimin e një tampon zone dhe prishjen e makinës luftarake të Moskës, më shumë se dy vjet që nga pushtimi i plotë i Rusisë.
“Ne po i arrijmë qëllimet tona”, ka shkruar ai në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Shefi i forcave ajrore të Kievit ka thënë të dielën se forcat e tij kishin shkatërruar dy ura ditët e fundit për të dobësuar logjistikën e armikut.
Ndërkaq, Rusia ka konfirmuar të hënën se Ukraina ka goditur dhe dëmtuar një urë të tretë mbi lumin Seym. Ukraina nuk ka komentuar ende për sulmin e tretë të raportuar.
Analistët ushtarakë kanë thënë se strukturat ishin pjesë e linjave kritike të furnizimit për trupat ruse që mbronin zonën.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes të dielën, Zelensky ka deklaruar se trupat e tij po krijonin një “tampon zonë” përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë, pjesë e atyre që ai i përshkroi si "veprime maksimale kundërsulmuese" që synojnë të dëmtojnë potencialin ushtarak të Moskës.
“Gjithçka që i shkakton humbje ushtrisë ruse, shtetit rus, kompleksit të tyre industrial ushtarak dhe ekonomisë së tyre, e gjithë kjo na ndihmon të parandalojmë zgjerimin e luftës”, ka thënë Zelensky.