Mohohen shërbimet

Ukraina forcon presionin ndaj burrave që lëshojnë vendin

Lufta në Ukrainë

Lufta në Ukrainë

Foto: Associated Press

Ukraina po pezullon shërbimet konsullore për shtetasit meshkuj të moshës 18 deri në 60 vjeç jashtë vendit, si pjesë e një përpjekjeje për të rritur numrin e anëtarësimeve në ushtri.

Ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, ka thënë se mbrojtja e të drejtave të ukrainasve është ende thelbësore, por "përparësia kryesore është të mbrojmë atdheun tonë nga shkatërrimi" gjatë pushtimit të plotë të Rusisë, raporton BBC.

Rusia ka një avantazh të madh në numër dhe armë në fushën e betejës. Ndërkaq, Kievi kohët e fundit uli moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç.

Pasi "ftoi" burrat ukrainas jashtë vendit për t'u kthyer në shtëpi dhjetorin e kaluar, duket se Qeveria dëshiron të ushtrojë më shumë presion, duke u mohuar atyre shërbimet potencialisht jetike jashtë shtetit.

Me miratimin e fundit të ligjit të ri të diskutueshëm të mobilizimit, Kievi duket se e ka kaluar pikën e kujdesit për vendimet jopopullore.

Kuleba ka shkruar në mediat sociale se "qëndrimet e drejta" do të rivendoseshin për burrat ukrainas të moshës ushtarake brenda dhe jashtë vendit. Ai u ankua se dukej sikur burrat në moshë rekrutimi po largoheshin nga vendi i tyre dhe po prisnin të merrnin shërbime nga shteti.

"Nuk funksionon kështu. Vendi ynë është në luftë", ka shkruar ai.

Nuk është ende e qartë se për kë do të zbatohen kufizimet e reja konsullore të Ukrainës, derisa shumë burra ukrainas jashtë vendit kanë përjashtime legjitime nga luftimet, si p.sh të qenit me aftësi të kufizuara ose të pasurit tre ose më shumë fëmijë. 

Një letër e nënshkruar nga një zyrtar i lartë i punëve të Jashtme thoshte se dokumentet do të lëshoheshin nga konsullatat për burrat ukrainas vetëm për t'ua mundësuar atyre të ktheheshin në shtëpi. Ndërkaq, shërbimi shtetëror i pasaportave ka thënë se çështja e pasaportave biometrike jashtë Ukrainës ishte pezulluar "për arsye teknike".

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se një ofensivë e plotë ruse pritet në javët e ardhshme pas humbjes së qytetit Avdiivka nga Ukraina gjatë dimrit.

Senati amerikan pritet të miratojë një paketë ndihme prej 60.8 miliardë dollarësh për Ukrainën të martën, duke i dhënë fund një vonese gjashtëmujore në mbështetjen financiare. Megjithatë, Kievi ka nevojë urgjente për fuqi punëtore të re për të mbrojtur një vijë të frontit që shtrihet në më shumë se 1000 km gjatësi.

Në rrugët e qyteteve të Ukrainës janë shfaqur postera që portretizojnë ushtarë që u bëjnë thirrje bashkatdhetarëve të tyre të regjistrohen për të mbrojtur vendin e tyre. 

Por ata që duan të dalin vullnetarë për ushtrinë e kanë bërë këtë shumë kohë më parë dhe janë ose të vdekur, të plagosur ose të rraskapitur në vijën e frontit.

Në vend që të përqendrohen në një model rotacioni, ministrat po thonë se të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre, për aq kohë sa duhet.

Megjithatë, kritika kryesore ndaj ligjit të ri të mobilizimit të Ukrainës është mungesa e një kufiri në kohën e kryerjes, gjë që disa argumentojnë se heq atë pak nxitje për burrat që nuk donin të luftonin.

Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se më shumë se 6.4 milionë ukrainas janë larguar nga vendi i tyre, shumë prej tyre në vendet e Bashkimit Evropian. Agjencia e statistikave e BE-së vlerëson se 20.6% e rreth 4.3 milionë ukrainasve që jetojnë aktualisht brenda kufijve të saj janë burra.

Ndërkohë, një sondazh nga grupi Rating në Ukrainë nxori se 62% e ukrainasve ishin të përgatitur të luftonin për vendin e tyre në një kohë lufte, ndërsa një e treta thanë se nuk ishin të tillë. Sipas sondazhit, ky ishte rezultati më i lartë midis kombeve evropiane.