Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe ai finlandez, Alexander Stubb kanë nënshkruar një marrëveshje të sigurisë në Kiev të mërkurën, raporton “Associated Press”.
Stubb ka njoftuar se Finlanda do t’i dhurojë Ukrainës paketën e saj të 23-të të ndihmës ushtarake, me vlerë 188 milionë euro.
“Ukraina mund të llogarisë në angazhimin e Finlandës për sigurinë dhe prosperitetin e saj tani dhe në planin afatgjatë”, ka shkruar Stubb në rrjetin social “X”.
Marrëveshje të ngjashme afatgjata për të mbështetur Ukrainën me ndihma financiare dhe të sigurisë deri sa Ukraina të anëtarësohet në NATO, janë nënshkruar edhe me vende të tjera, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë.
“Një dokument që e dëshmon gatishmërinë e Finlandës për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus”, ka shkruar Zelenskyy në Telegram.
Zelenskyy ka njoftuar se Finlanda do ta mbështesë Ukrainën ushtarakisht dhe financiarisht për një periudhë afatgjatë.
Zelenskyy ka thënë gjithashtu se Finlanda do ta ndihmojë Ukrainën në rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar të energjisë, do të bëjë vlerësimin e dëmit mjedisor, do ta forcojë mbrojtjen e kufirit dhe infrastrukturës kritike, si dhe do ta ndihmojë me trajtimin mjekësor për ushtarët ukrainas.