Kriza diplomatike lidhur me këtë po intensifikohet përherë e më shumë. Pekini thotë se Shtetet e Bashkuara drejtonin "rrjetin më të madh të spiunazhit në botë" dhe se kishin kryer mbikëqyrje të gjerë globale, duke përfshirë kapjen e komunikimeve elektronike, që kishin rrezikuar "privatësinë e qytetarëve nëpër botë’. Ndërkaq Këshilli i Sigurisë Kombëtare amerikane lëshoi një deklaratë, duke thënë se “çdo pretendim që qeveria e SHBA-së operon me balona vëzhgimi mbi Republikën Popullore të Kinës është i rremë”
Tensionet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës u përshkallëzuan të hënën, pasi të dyja shtetet shkëmbyen akuza të zjarrta për programet e spiunazhit, si pasojë e rrëzimit të një balone kineze spiune dhe tri objekteve të paidentifikuara fluturuese një javë më vonë mbi Amerikën e Veriut.
Si pjesë e monitorimit të afërt amerikan të programit të mbikëqyrjes së balonave të komanduara nga ushtria kineze kohët e fundit, zyrtarët amerikanë thanë në intervista se filluan të gjurmonin balonën e spiunazhit ndërsa u ngrit nga Ishulli Hainan në Kinën jugore në fund të janarit, shkruan gazeta “New York Times”.
“Mbeturina të rëndësishme”
Ndërsa lëvizte mbi Ishujt Aleutian pranë Alaskës dhe përshkonte Kanadanë dhe më pas Montanën, udhëheqësit ushtarakë njoftuan presidentin Joe Biden se ishte pothuajse me siguri të plotë i njëjti lloj mjeti ajror që SHBA-ja zbuloi dy herë nga Hawaii dhe se ajo kishte spiunuar Teksasin dhe Floridën. Balona u rrëzua në brigjet e Karolinës së Jugut nga një avion luftarak amerikan më 4 shkurt dhe zyrtarët ushtarakë thanë të hënën se ekuipazhet kishin gjetur "mbeturina të rëndësishme" nga anija që përfshinte "sensorë prioritarë dhe pjesë elektronike".
Kriza diplomatike lidhur me këtë po intensifikohet përherë e më shumë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, tha të hënën në Pekin se Shtetet e Bashkuara drejtonin "rrjetin më të madh të spiunazhit në botë" dhe se kishin kryer mbikëqyrje të gjerë globale, duke përfshirë kapjen e komunikimeve elektronike, që kishin rrezikuar "privatësinë e qytetarëve nëpër botë”.
Wang tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kishin dërguar 10 balona ilegalisht në hapësirën ajrore kineze që nga viti i kaluar, një akuzë që shkaktoi mohim të menjëhershëm dhe të furishëm nga Shtëpia e Bardhë.
Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lëshoi një deklaratë duke thënë se “çdo pretendim që qeveria e SHBA-së operon me balona vëzhgimi mbi Republikën Popullore të Kinës është i rremë.
Watson vuri në dukje programin e balonave të spiunazhit të Kinës dhe tha se Pekini "deri në ditët e sotme ka dështuar të ofrojë ndonjë shpjegim të besueshëm për ndërhyrjen e tij në hapësirën tonë ajrore dhe në hapësirën ajrore të të tjerëve".
Akuzat e kundërakuzat
Shkëmbimi luftarak tregon se sa shpejt programet e spiunazhit të dy kombeve po kthehen në një pikë të ringjallur tensioni në një marrëdhënie që është futur në një spirale në rënie. Biden dhe presidenti Xi Jinping i Kinës janë përpjekur që nga një takim në Indonezi, në nëntor për të stabilizuar lidhjet, por furia e shkaktuar nga tullumbacet e spiunazhit i ka hedhur në erë ato përpjekje, analizon “New York Times”.
Shtetet e Bashkuara drejtojnë programe të gjera spiunazhi që synojnë Kinën. Përplasja e një avioni spiun elektronik të SHBA-së dhe një avioni luftarak kinez në vitin 2001, që çoi në vdekjen e supozuar të një piloti kinez, zbuloi shtrirjen e përpjekjeve amerikane për të mbledhur komunikimet elektronike, megjithëse ai aeroplan ishte shumë larg brigjeve të Kinës. Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka shpuar rrjetet e kompanisë kryesore të telekomunikacionit në Kinë, Huawei, dhe ka gjurmuar ushtarët kinezë teksa lëviznin armët bërthamore.
Kina ka bërë prej kohësh të njëjtën gjë me Shtetet e Bashkuara, duke vjedhur dizajnet për bombarduesin F-35 dhe dosjet e pastrimit të sigurisë të 22 milionë amerikanëve nga bazat e të dhënave të Zyrës së Menaxhimit të Personelit.
Megjithatë, mesazhi nga Uashingtoni është se ndërhyrjet fizike të drejtpërdrejta në hapësirën ajrore amerikane dhe të aleatëve janë të ndryshme, dhe John F. Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha të hënën se nuk ishte në dijeni për ndonjë program të ngjashëm të SHBA-së.
Nëse ndonjë nga tri objektet fluturuese të shkatërruara në Amerikën e Veriut nga e premtja deri të dielën rezulton të jetë kinez, do të përbënte një provokim të madh në fund të episodit të balonave spiune. Disa zyrtarë amerikanë theksuan se nuk po nxitonin në përfundimin se objektet ishin makineri kineze vëzhgimi.
Rishikimi i politikave të spiunazhit
Bideni ka urdhëruar zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare të rishikojnë se si Shtetet e Bashkuara monitorojnë hapësirën e tyre ajrore dhe nëse duhet të ndryshojnë procedurat, tha zoti Kirby të hënën.
Që nga episodi i balonave të spiunazhit, ushtria amerikane ka rregulluar filtrat e saj të radarëve në mënyrë që pajisjet tani të rrokin më shumë objekte dhe kjo mund të jetë shkak për një mori pamjesh që çuan te tri aksionet e rrëzimit të balonave. Disa zyrtarë thanë se sistemet e censorëve tani po marrin shumë sinjale që normalisht filtrohen automatikisht, duke përfshirë tufat migruese të shpendëve dhe avionëve, raporton “New York Times”.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po përpiqeshin qartazi të arrinin ekuilibrin e duhur midis të treguarit se ata janë në gjendje gatishmërie dhe njëherësh të mos alarmonin për ngjarjet normale. Dhe një zyrtar tha se tani ishte e qartë se pilotët e NORAD-it, Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, do të kishin nevojë për udhëzime të rishikuara se kur duhet të rrëzonin objektet. Deri në këtë fundjavë, rrallëherë kishin qëlluar ndonjë.
"Unë mendoj se ne thjesht nuk e dimë tani nëse duhet të ketë ndryshime të pragut”, tha zoti Kirby.
Agjencitë amerikane po hetojnë ende origjinën e tri objekteve misterioze që avionët luftarakë amerikanë rrëzuan mes të premtes dhe të dielës me urdhër të Bidenit dhe kryeministrit të Kanadasë, Justin Trudeau. Përpjekjet për rikuperimin e mbeturinave janë duke u zhvilluar në Alaskë, në territorin Yukon në Kanada dhe në anën kanadeze të Liqenit Huron, raporton “New York Times”..
Të tri objektet nuk përbënin rrezik për njerëzit në terren, nuk dërgonin sinjale komunikimi, nuk kishin njerëz brenda dhe nuk kishin aftësi manovrimi apo shtytjeje. Ato fluturuan në lartësi shumë më të ulëta se tullumbacja spiune kineze, dhe përbënin një rrezik potencial për trafikun ajror civil, shtoi Kirby.
Nën “komandën” e erës
Objektet dukej se shtyheshin nga erërat, të cilat i bartën nga perëndimi në lindje.
Objekti i rrëzuar mbi Liqenin Huron pasi kishte hyrë në Michigan kishte strukturë tetëkëndore, por nuk kishte ngarkesë të dukshme, thanë zyrtarët amerikanë. Ata kanë qenë të kujdesshëm që të mos i quajnë asnjë nga tri objektet e fundit "tullumbace".
Administrata Biden tha javën e kaluar se Kina kishte dërguar balona vëzhgimi mbi më shumë se 40 vende në pesë kontinente, duke shkelur sovranitetin e tyre, shkruan “New York Times”.
Një tullumbace e dyshuar kineze e mbikëqyrjes në lartësi të madhe fluturoi pranë instalimeve të ndjeshme ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme vjeshtën e kaluar, por mbeti mjaft larg në det të hapur, saqë zyrtarët amerikanë nuk e konsideruan si kërcënim dhe vetëm e monitoruan ndërsa kalonte në rajon, tha për NYT-in një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti.
Balona e kishte origjinën në ose afër Kinës dhe udhëtoi drejt perëndimit dhe Lindjes së Mesme - drejtimi i kundërt i erërave mbizotëruese dhe rruga e ndjekur nga balona spiune që u rrëzua mbi Oqeanin Atlantik - duke sugjeruar se makina kishte burimin e vet të shtytjes, tha zyrtari.
Zyrtarët ushtarakë në Azi e gjurmuan balonën derisa u zhvendos në perëndim në hapësirën ajrore të Lindjes së Mesme, ku ia dorëzuan detyrat e monitorimit kolegëve ushtarakë atje.
Përgatiti: Rexhep Maloku
Pse aeroplani amerikan rrëzoi një objekt mbi Kanada
Avioni ishte pjesë e NORAD-it, organizatë mbrojtëse e operuar bashkërisht nga SHBA-ja dhe Kanadaja. Në një lëvizje që mund të ketë ngatërruar amerikanët dhe kanadezët, i dyti nga tre objektet fluturuese të paidentifikuara të rrëzuara në ditët e fundit, u rrëzua mbi Kanada, me urdhër të kryeministrit kanadez - nga një bombardues amerikan, F-22.
Pyetjet u shtruan shpejt e shpejt: Si mundi Kanadaja t'i jepte një urdhër një piloti luftarak amerikan? Si mund të kryente SHBA-ja një operacion në territorin kanadez?
Përgjigjja është e thjeshtë. F-22-shi dhe piloti ishin pjesë e Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, e njohur si NORAD, organizatë mbrojtëse e operuar bashkërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja.
Qëllimi i deklaruar i NORAD-it është të "parandalojë sulmet ajrore kundër Amerikës së Veriut, të mbrojë hapësirat ajrore sovrane të Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë duke iu përgjigjur aktivitetit ajror të panjohur, të padëshiruar dhe të paautorizuar që afrohet dhe operon brenda këtyre hapësirave ajrore, dhe të sigurojë paralajmërimin e hapësirës ajrore dhe detare për Amerikën e Veriut”.
Ai udhëhiqet nga një komandant - aktualisht gjenerali Glen D. VanHerck - i cili raporton si te presidenti i SHBA-së ashtu edhe te kryeministri kanadez.
Secili prej këtyre liderëve ka autoritetin për të nxjerrë një urdhër, siç bëri kryeministri Justin Trudeau të shtunën. Ata janë shpesh në komunikim me njëri-tjetrin ndërsa e bëjnë këtë, dhe ky operacion nuk ishte përjashtim.
Presidenti Biden u informua dhe mbështeti rrëzimin e objektit mbi Yukon, territor veriperëndimor i Kanadasë. Më pas, sipas Shtëpisë së Bardhë, ai dhe Trudeau "diskutuan rëndësinë e rikuperimit të objektit, në mënyrë që të përcaktojnë më shumë detaje mbi qëllimin ose origjinën e tij".