Kryeministri polak, Donald Tusk, ka deklaruar të martën në takimin e mbajtur me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, se planifikohet që liderët evropianë të takohen të dielën në Londër, për të diskutuar në lidhje me çështjet e mbrojtjes dhe ato të sigurisë, raporton The Guardian.
“Shpresoj që ky mobilizim, më i madhi i vendeve anëtare dhe Evropës më gjerësisht, do të bëhet fakt”, ka deklaruar Tusk.
“Përpara takimit në Këshillin e ardhshëm Evropian, do të jemi në Londër të dielën, së bashku me miqtë tanë britanikë dhe një grup liderësh, për të biseduar rreth këtyre planeve të përbashkëta në mbrojtje”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka thënë se Komisioni Evropian “është duke ardhur me një pako propozimesh për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të Evropës”, dhe se liderët do ta diskutojnë këtë çështje javën tjetër në mbledhjen e veçantë të Këshillit Evropian.
Pas përfundimit të konferencës së përbashkët me Tuskun, Costa është nisur drejt Budapestit, për takimin e radhës me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.