Një dron turk shënjestroi një automjet që udhëtonte në rajonin e Kurdistanit të Irakut të premten, duke vrarë katër militantë kurdë, ka thënë shërbimi kundër terrorizmit i Kurdistanit të Irakut, shkruan ABC News.
Në një deklaratë thuhet se droni goditi automjetin në qytetin Kalar në provincën veriore të Sulaymaniyah. Pasagjeri i pestë u plagos dhe po trajtohej në spital.
Militantët ishin nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet si një organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe ka udhëhequr një kryengritje në Turqinë juglindore që nga viti 1984, e cila ka lënë të vdekur dhjetëra mijëra njerëz.
Turqia kryen rregullisht sulme ajrore në Irakun verior dhe ka dërguar komando për të mbështetur ofensivat e saj. Në prill, ajo nisi ofensivën e saj të fundit, të quajtur Operacioni Claw Lock në pjesë të Irakut verior - pjesë e një serie operacionesh ndërkufitare të cilat i nisi në vitin 2019 për të luftuar PKK-në e jashtëligjshme që janë me bazë në rajonet malore të Irakut verior.
Ministria turke e Mbrojtjes ka thënë në një postim në Twitter të premten se gjashtë “terroristë” të PKK-së u neutralizuan në Irak si pjesë e një fushate ushtarake në vazhdim, por nuk dha më shumë detaje.