Autoritetet elektorale të Turqisë të martën ia kanë mohuar një kryetari të sapozgjedhur nga partia prokurde të drejtën që ta mbajë postin në një qytet lindor dhe e kanë zëvendësuar atë me kandidatin që doli i dyti në zgjedhje lokale – një kandidat nga partia e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, raporton agjencia “AP”.
Zgjedhjet lokale të së dielës ishin një goditje e rëndë për Erdoganin dhe partinë e tij në pushtet “Partia për Drejtësi dhe Zhvillim”.
Partia kryesore opozitare e ka rifituar Stambollin dhe kryeqendrën Ankaran si dhe ka bërë përparime të mëdha në qytete tjera, ndërsa partia prokurde “Barazi dhe Demokraci”, apo DEM, fitoi disa komuna në Turqi në rajonet kryesisht të dominuara nga kurdët, përkundër viteve shtypje dhe mijëra aktivistë politikë të arrestuar.
Vendimi për t’ia marrë mandatin Abdullah Zeydanit, nga partia DEM, pasi ai e fitoi të drejtën për ta qeverisur qytetin lindor Van, nxiti reagime dhe protesta të martën. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në Van. DEM ka thënë se do ta apelojë vendimin.
Partia kryesore opozitare, ajo e qendrës së majtë, Partia Republikane Popullore (CHP) po ashtu ka dënuar këtë lëvizje.
Në arsyetimin për marrjen e mandatit, autoritetet elektorale kanë cituar një vendim të gjykatës të momentit të fundit që thotë se një politikan, që ka kaluar kohë në burg, nuk mund të drejtojë një qytet.
Zeydan fitoi 55 për qind të votave në zgjedhjet në Van të dielën. Kandidati që përfundoi i dyti në këto zgjedhje, Abdullah Arvas nga partia e Erdoganit, mori vetëm 27 për qind.
Pos në Van, DEM ka fituar komunat në nëntë provinca në juglindje të Turqisë kryesisht me kurdë.