Ujgurët thonë se ligji mund t’ua bëjë jetën ferr: t’i deportojë prapa në shtetin nga i cili kanë ikur për t’iu shmangur arrestimeve masive. Më shumë se një milion ujgurë dhe minoritete të tjera kryesisht myslimane janë futur nëpër burgje dhe kampe ndalimi në Kinë. Këtë veprim Kina e cilëson si masë kundër terrorizmit, por Shtetet e Bashkuara e thonë ndryshe: gjenocid
Pekin, 5 shkurt (AP) – Abdullah Metseydi, një ujgur në Turqi, po bëhej gati për gjumë kur dëgjoi rrapëllima. Pastaj trokitjet në derë. “Policia! Hape derën!”...
Dhjetëra policë, të armatosur deri në dhëmbë dhe me uniforma të kamufluara të forcave antiterroriste, mbushën dhomën e të moshuarit të përgjumur. E pyetën nëse Metseydi kishte marrë pjesë në ndonjë lëvizje kundër Kinës dhe e kërcënuan se do ta dëbonin nga Turqia së bashku me të shoqen. E morën në një qendër deportimi dhe ai tani ndodhet në mesin e një turbullire të madhe politike.
Ligjvënësit opozitarë në Turqi i kanë akuzuar liderët e Ankarasë që në mënyrë të fshehtë po i kallëzojnë ujgurët te Kina në shkëmbim të vaksinave të koronavirusit. Miliona doza të premtuara të vaksinës kineze ende nuk janë shpërndarë në Turqi. Ndërkohë, në muajt e fundit policia turke ka bastisur dhe arrestuar më shumë se 50 ujgurë. Të gjithë po mbahen nëpër qendra të deportimit. Numri i tyre është shumë më i lartë sesa në vitin e kaluar.
Ani pse nuk ka prova për një “quid pro quo” (shkëmbim favoresh) opozita turke dhe ujgurët frikësohen se Pekini po përdor vaksinat si mall për të siguruar traktat ekstradimi. Ky traktat ishte nënshkruar para disa vjetësh, mirëpo Kina krejt papritur e ratifikoi në muajin dhjetor. Mund të nisë së zbatuari para se të reagojnë ligjvënësit turq në muajin shkurt.
Frika nga ligji
Ujgurët pretendojnë se ligji mund t’ua bëjë jetën ferr: t’i deportojë prapa në shtetin nga i cili kanë ikur për t’iu shmangur arrestimeve masive. Më shumë se një milion ujgurë dhe minoritete tjera kryesisht myslimane janë futur nëpër burgje dhe kampe ndalimi në Kinë. Këtë veprim Kina e cilëson si masë kundër terrorizmit, por Shtetet e Bashkuara e thonë ndryshe: gjenocid.
“Tmerrohem nga deportimi”, thotë Melike, bashkëshortja e Metseydit.
Me lot në sy refuzon të tregojë mbiemrin. Ka frikë nga ndëshkimi. “Jam e brengosur për shëndetin mendor të burrit”, shton ajo.
Dyshimet për një marrëveshje të mundshme dolën në sipërfaqe kur pakot e para të vaksinës kineze u vonuan për disa javë në muajin dhjetor. Zyrtarët kanë fajësuar problemin me dokumente.
Mirëpo edhe tani, Yildirim Kaya, një ligjvënës i partisë kryesore opozitare në Turqi, thotë se Kina ka shpërndarë vetëm një të tretën e 30 milionë dozave të premtuara. Turqia varet nga vaksina kineze “Sinovac” për të imunizuar popullsinë e saj ndaj virusit që ka infektuar 2.5 milionë dhe ka lënë të vdekur 26 mijë njerëz në shtetin turk.
“Një vonesë e tillë nuk është normale. Kemi paguar për këto vaksina. A është duke e shantazhuar Kina Turqinë”, thotë Kaya.
Kaya ka thënë se zyrtarisht e ka pyetur Qeverinë turke për presionin nga Kina, por deri më tani ka marrë si përgjigje vetëm heshtjen.
Heshtja e autoriteteve
Autoritetet turke dhe ato kineze insistojnë se marrëveshja e ekstradimit nuk do të thotë se cak i deportimit do të jenë ujgurët. Mediat kineze këto akuza i kanë cilësuar si njollosje të shtetit të Kinës, ndërkaq Ministria e Jashtme kineze ka mohuar çfarëdo lidhjeje mes vaksinave dhe traktatit.
“Mendoj se këto spekulime nuk qëndrojnë”, ka thënë zëdhënësi i ministrisë, Wang Wenbin.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavushoglu, në muajin dhjetor kishte thënë se vonesat e vaksinës nuk lidhen me ujgurët.
“Ne nuk i përdorim ujgurët për qëllime politike, ne i mbrojmë të drejtat e tyre njerëzore”, kishte thënë Çavushoglu.
Tani për tani, pak ujgurë janë dëbuar. Ama, kjo ka nxitur frikën te komuniteti prej 50 mijë ujgurësh sa janë në Turqi. Në javët e fundit ambasadori turk në Pekin lavdëroi vaksinat kineze dhe shtoi se Ankaraja vlerëson bashkëpunimin juridik me Kinën – kod, siç frikësohen ujgurët, që do të përdoret për dëbimin e tyre.
Në të kaluarën, një numër i vogël i ujgurëve udhëtoi drejt Sirisë për luftë në ISIS. Mirëpo shumica e ujgurëve në Turqi i kritikojnë xhihadistët dhe shqetësohen se ata po e dëmtojnë kauzën e tyre.
Avokatët që përfaqësojnë ujgurët e arrestuar thonë se në shumicën e rasteve policia turke nuk ka prova se të dyshuarit kanë lidhje me grupet terroriste.
Profesori i juridikut në Ankara, Ilyas Dogan, beson se arrestimet janë të motivuara politikisht.
“Nuk kanë prova konkrete. Nuk janë seriozë”, ka thënë Dogan, i cili i përfaqëson gjashtë ujgurë në qendrat e deportimit, përfshirë Metseydin.
Edhe në rast të ratifikimit të ligjit, Dogan dyshon se do të ketë deportimeve masive, duke pasur parasysh simpatinë publike për ujgurët në Turqi. Ai beson se shanset për dëbimet individuale do të shtohen edhe më shumë me miratimin e ligjit.
Retorika e Erdoganit
Për shkak të lidhjeve kulturore, Turqia ka qenë parajsë e sigurt për ujgurët, etni me prejardhje turke në rajonin e largët të Xinjiangut në Kinë. Para më shumë se një dekade, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan trajtimin e ujgurëve nga Kina e cilësoi si gjenocid.
Kjo ndryshoi krejt me tentim grusht-shtetin e vitit 2016 në Turqi. Kjo ngjarje nxiti spastrimin masiv të kundërshtarëve dhe e tjetërsoi Erdoganin karshi qeverive perëndimore. Në pritje të plotësimit të zbrazëtisë ishte Kina që po investon miliarda në Turqi.
Shenjat e lidhjeve të forta ekonomike janë të shumta, të mëdha dhe të vogla: një tregtar i bizneseve në Kinë është emëruar ambasador i Turqisë në Pekin. Një central me thëngjill, një investim 1.7 miliardë dollarësh nga Kina, po ngrihet në bregun turk të Mesdheut. Aeroporti i Stambollit mori certifikatën e parë në botë si “Aeroporti Miqësor Kinez”, duke lënë anash pritjet e gjata në sportele me qëllim që të presë mijëra turistë nga Shangai dhe Pekini. Dhe retorika dikur e frikshme e Erdoganit është kthyer në butësi dhe diplomaci, duke lavdëruar liderët e Kinës për ndihmën e tyre.
“Në Kinë më pret vdekja”
Kina gjithashtu ka nisur kërkesën për ekstradimin e shumë ujgurëve nga Turqia. Në një kërkesë ekstradimi që u publikua në vitin 2016, zyrtarët kinezë kërkuan ekstradimin e një shitësi telefonash, të cilin e akuzonin për promovim të terrorit të ISIS-it. Ai u arrestua, mirëpo u lirua menjëherë.
Abdurehim Parac, poet ujgur, u arrestua dy herë brenda disa vjetësh. Thotë se mbajtja në Turqi ishte si në një hotel krahasuar me kushtet si në ferr që kishte përjetuar për tre vjet në burgjet kineze. U lirua menjëherë pasi gjykata i rrëzoi akuzat ndaj tij. Ama nuk e zë gjumi nga frika e ligjit të ekstradimit. E quan presion të papërballueshëm.
“Mua më pret vdekja në Kinë”, thotë ai.
Frika në rritje tashmë ka shtyrë shumë ujgurë që të shpërngulen në Gjermani, Holandë dhe në shtete të tjera evropiane. Disa prej tyre janë aq të dëshpëruar, sa ilegalisht e kalojnë kufirin.
“Turqia është vendlindja jonë e dytë”, thotë Kutad. “Kemi frikë”.