Qeveria e Turqisë ka denoncuar thirrjet e opozitës për një bojkot masiv komercial pas arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu që ka shkaktuar protesta mbarëkombëtare, duke i përshkruar ato të mërkurën si një "përpjekje sabotimi" ekonomik.
Pasi Imamoglu është arrestua dy javë më parë, opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP) kishte bërë thirrje për një bojkot të mallrave dhe shërbimeve nga kompanitë me lidhje të perceptuara me qeverinë e presidentit, Recep Tayyip Erdogan, raporton Reuters.
Kjo thirrje është zgjeruar të mërkurën duke përfshirë ndalimin e të gjitha blerjeve për një ditë, duke bërë që disa dyqane të mbyllen në shenjë solidariteti me ata që kritikojnë arrestimin si një përpjekje e politizuar dhe antidemokratike për të dëmtuar perspektivat elektorale të opozitës.
Imamoglu është rivali kryesor politik i Erdoganit dhe kandidati presidencial i CHP-së për çdo zgjedhje të ardhshme.
Ministri i Tregtisë, Omer Bolat, ka thënë se thirrjet e bojkotit përbëjnë një kërcënim për stabilitetin ekonomik dhe ka akuzuar ata që i mbrojnë ato se synojnë të minojnë qeverinë.
“Ato janë një përpjekje për të sabotuar ekonominë dhe përfshijnë elementë të tregtisë së padrejtë dhe konkurrencës. Ne e shohim këtë si një përpjekje të kotë nga qarqet që e konsiderojnë veten zotër të këtij vendi", ka thënë Bolat.
Nënkryetari Cevdet Yilmaz ka thënë se thirrjet kërcënonin harmoninë sociale dhe stabilitetin ekonomik dhe ishin "të dënuara të dështonin".
Thirrjet për bojkot po udhëhiqen nga kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, i cili ka inkurajuar protestat në rrugë duke u bërë më të mëdhat në Turqi në më shumë se një dekadë. Erdogani i ka quajtur protestat "të liga" dhe ka thënë se ato nuk do të zgjasin.
Ekonomia e Turqisë është goditur nga një krizë shumëvjeçare e kostos së jetesës, me rritjen e ngadaltë dhe inflacionin ende të lartë në 39% në shkurt.
Të martën prokurorët kanë njoftuar se kanë nisur një hetim ndaj atyre që mbrojnë thirrjet e bojkotit në mediat sociale dhe tradicionale.
LEXO EDHE: