Botë

Turqia arreston edhe dy të dyshuar për spiunazh

Turqia

Autoritetet turke kanë arrestuar dy persona mbi dyshimin se i kanë ofruar informacione agjencisë izraelite të inteligjencës, ka thënë ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya. 

Yerlikaya ka shtuar se të dyshuarit mblodhën informacione për njerëz dhe kompani me interes për Izraelin dhe ia kaluan ato të dhëna e dokumente zyrtarëve të inteligjencës së Izraelit. 

Gjashtë persona të tjerë po ashtu u arrestuan gjatë operacionit, dhe u liruan pasi u morën në pyetje.

“Ne asnjëherë nuk do të lejojmë aktivitete spiunazhi që shënjestrojnë unitetin tonë kombëtar”, ka thënë ministri. 

Dhjetëra njerëz, përfshirë agjentë privatë, janë arrestuar në Turqi që nga janari mbi dyshimin për spiunazh për Izraelin, raportoi AP. 

Turqia dhe Izraeli kishin normalizuar marrëdhëniet në vitin 2022 pas vitesh tensione. Por, ato marrëdhënie shpejt u lëkundën me fillimin e luftës Izrael-Hamas, kur Ankaraja u bë një nga kritiket më të ashpra të veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza. 

Në dhjetor, kreu i agjencisë së sigurisë së Izraelit “Shin Bet”, pati thënë se organizata e tij ishte e përgatitur të shënjestronte grupin militant të Hamasit kudo, përfshirë në Liban, Turqi dhe Katar.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e paralajmëroi Izraelin për “pasoja të rënda” nëse Izraeli vazhdon përpara me kërcënimet e tij për të sulmuar militantët e Hamasit në tokën turke.