Turqia ka arrestuar 37 persona nën dyshimin se kanë bërë "postime provokuese që nxisin krimin dhe urrejtjen" lidhur me ndalimin e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, ka bërë të ditur të enjten ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.
Turqia ka arrestuar të mërkurën Imamoglun, rivalin kryesor të presidentit Rexhep Tajip Erdogan, me akuza si korrupsioni dhe ndihma e një grupi terrorist, një hap që partia kryesore opozitare e ka kritikuar si "përpjekje për grusht shteti kundër presidentit të ardhshëm", raporton Reuters.
Autoritetet turke kanë indentifikuar 261 llogari të mediave sociale, përfshirë 62 me bazë jashtë vendit, për "postime provokuese" pas ndalimit të Imamoglut, ka njoftuar Yerlikaya në X.
Ministri ka thënë se 18.6 milionë postime janë shpërndarë në X në lidhje me Imamoglun në më pak se 24 orë pas ndalimit të tij.
Turqia ka konfiskuar gjithashtu një kompani ndërtimi në bashkëpronësi të Imamoglut, ka njoftuar zyra e kryeprokurorit publik të Stambollit.
Në një deklaratë të mërkurën vonë, zyra e prokurorit ka thënë se kontrolli i kompanisë është marrë nga një gjykatë, bazuar në raportet e hetimit të krimit financiar.
Arrestimi i Imamoglut, është bërë vetëm pak ditë para se partia kryesore opozitare të cilës i përket "Partia Popullore Republikane" të mbante zgjedhjet e brendshme, ku ai pritej të shpallej kandidat për president.
Po ashtu, arrestimi është bërë vetëm një ditë pasi Universiteti i Stambollit ia ka anuluar atij diplomën universitare.
Pa një diplomë universitare, Imamoglu i opozitës kryesore CHP, do të skualifikohej nga kandidimi për president.
LEXO EDHE: