Policia turke ka arrestuar 282 të dyshuar të akuzuar për lidhje, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), që e cilëson grup militant, ka bërë të ditur të martën ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya.
Mes tyre ka gazetarë, politikanë dhe akademikë.
Bastisjet e pesë ditëve të fundit erdhën teksa Turqia vazhdon të largojë kryebashkiakët e zgjedhur pro-kurdë nga postet e tyre, hap që përkon me shpresat për një fund të një konflikti 40-vjeçar midis PKK-së dhe autoriteteve, raporton Reuters.
Sindikata e Gazetarëve të Turqisë dënoi ndalimin e tre gazetarëve.
“Ne nuk pranojmë që ata të ndalohen përmes bastisjeve të shtëpive në vend që të thirren në komisariat”, tha sindikata në një deklaratë në rrjetet sociale.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe anëtarë të Kongresit Demokratik të Popullit (HDK), si dhe parti më të vogla të majta, akademikë dhe aktivist të shquar të të drejtave të komunitetit LGBTQ.
Policia kreu bastisje kundër terrorizmit në 51 provinca, duke përfshirë kryeqytetin Ankaranë dhe qytetin më të madh, Stambollin. Yerlikaya ka theksuar se të arrestuarit dyshohen për propagandë, sigurimin e financimit për grupin militant, rekrutimin e anëtarëve dhe bashkimin me protestat në rrugë.
Të shtunën, Turqia hoqi nga detyra një kryebashkiak të Partisë DEM pro-kurde në provincën lindore të Vanit për dënime të lidhura me terrorizmin, duke e çuar numrin e përgjithshëm të kryebashkiakëve të shkarkuar të DEM-it në tetë që nga zgjedhjet e vitit 2024.
PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, ka zhvilluar një kryengritje kundër shtetit që nga viti 1984, në një konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 40 mijë persona.