Trupat ushtarake izraelite janë duke zgjeruar operacionet në pjesën veriore të Gazës, ka bërë të ditur shtabi ushtarak të premten, disa ditë pasi qeveria e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu paraqiti planet për të shkëputur zona të reja nga enklava palestineze për t’i integruar ato në zonat e saj të sigurisë.
Izraeli rifilloi operacionet ushtarake në Rripin e Gazës me një seri të fuqishme sulmesh ajrore më 18 mars dhe dërgoi përsëri ushtrinë pas armëpushimit të përkohshëm me grupin militant palestinez, Hamas, gjatë të cilit u kthyen 38 pengje në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur, raporton Reuters.
Përpjekjet për të rinisur negociatat, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, deri më tani nuk kanë prodhuar rezultat.
Gjatë dy javëve të fundit, më shumë se 280 mijë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Gaza, sipas Agjencisë Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OCHA), duke shtuar vuajtjet për familjet që tashmë janë shpërngulur disa herë gjatë 18 muajve të fundit.