Ushtria izraelite ka njoftuar të premten se avionët e saj luftarakë goditën 30 caqe të Hamasit në qytet, duke përfshirë luftëtarët dhe vendet e ruajtjes së armëve. Ajo ka thënë se trupat po kërkonin për tunelet e Hamasit teksa po angazhoheshin në luftime “mbi dhe nën tokë”. Pas 10 muajsh lufte në Gazë, përpjekja e ndërmjetësuesve synon të rifillojë negociatat indirekte për një armëpushim, të cilat janë pezulluar nga 31 korriku, kur udhëheqësi më i lartë i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në Teheran, në një sulm të dyshuar izraelit
Trupat izraelite filluan një sulm të ri të premten në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, duke synuar luftëtarët e Hamasit për të cilët ushtria pretendon se ende veprojnë atje pavarësisht ofensivave të vazhdueshme. Ndërkohë që ndërmjetësit amerikanë, ata në Katar dhe Egjipt, po përsërisin përpjekjet e tyre për të arritur një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
Urdhrat e evakuimit izraelit shkaktuan një tjetër eksod të palestinezëve nga rrethet lindore të shkatërruara rëndë të Khan Younisit, ku shumë prej tyre sapo ishin kthyer më pak se dy javë më parë - pas inkursionit të fundit të ushtrisë izraelite në qytet në muajin korrik.
Mijëra njerëz u larguan të enjten, duke mbajtur gjëra elementare si bombola të vogla gazi, dyshekë, tenda, çanta shpine dhe batanije.
Zyrtarët nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se besojnë që Yahya Sinëar, udhëheqësi më i lartë i sapoemëruar i Hamasit dhe një nga kryesuesit e sulmit të 7 tetorit ndaj Izraelit mund të fshihet në tunele në Khan Younis.
Ushtria izraelite ka njoftuar të premten se avionët e saj luftarakë goditën 30 caqe të Hamasit në qytet duke përfshirë luftëtarët dhe vendet e ruajtjes së armëve. Ajo bëri të ditur se trupat po kërkonin për tunelet e Hamasit teksa po angazhoheshin në luftime “mbi dhe nën tokë”.
Pas 10 muajsh lufte në Gazë përpjekja e ndërmjetësuesve synon të rifillojë negociatat indirekte për një armëpushim, të cilat janë pezulluar më 31 korrik, ditën kur paraardhësi i Sinwarit, Ismail Haniyeh, u vra në një shpërthim të dyshuar izraelit në Teheran.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten ka konfirmuar se do të dërgonte negociatorë në bisedimet që ndërmjetësuesit kanë kërkuar të mbaheshin më 15 gusht ose në kryeqytetin e Katarit, Doha, ose në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro.
Ndërkohë që Hamasi nuk u është përgjigjur kërkesave të ndërmjetësuesve.
Hamasi, të martën ka njoftuar se Sinwar, udhëheqësi i grupit në Gazë, do të zëvendësonte Haniyehun si udhëheqësin kryesor të grupit. Haniyeh ka shërbyer më parë si bashkëbiseduesi kryesor në negociata.
Vrasja e Haniyehut dhe ajo e një komandanti të lartë të Hezbollahut në një sulm ajror izraelit në Bejrut sollën kërcënime për hakmarrje nga Hezbollahu dhe Irani.
Diplomatët ndërkombëtarë janë përpjekur të parandalojnë një përshkallëzim dhe të nënshkruajnë një marrëveshje për të ndaluar luftimet në Gazë dhe për të liruar pengjet që ende mbahen në enklavë.
Në një deklaratë të përbashkët Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari bënë thirrje për raundin e ri të bisedimeve duke u bërë presion të dyja palëve që të ecin përpara.
“Nuk ka më kohë për të humbur dhe as justifikime nga asnjë palë për vonesa të mëtejshme”, thanë ata.
Ata thanë se ndërmjetësit ishin gjithashtu të përgatitur për të paraqitur një kompromis përfundimtar “që zgjidh çështjet e mbetura të zbatimit në një mënyrë që përmbush pritshmëritë e të gjitha palëve”.