Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të shtunën se nuk i intereson nëse prodhuesit e automjeteve rrisin çmimet për shkak të tarifave të tij. Për më tepër, ai i ka inkurajuar ata që ta bëjnë këtë.
I pyetur në një intervistë për NBC News, nëse ai u ka bërë presion prodhuesve të automjeteve për të shmangur rritjen e çmimeve pasi tarifat e tij prej 25% për veturat dhe pjesët e importuara të hyjnë në fuqi, Trumpi e ka mohuar që ai u kishte kërkuar shefave ekzekutivë të kontrollonin kostot, raporton CNN.
“Jo, nuk e kam thënë kurrë këtë. Nuk më intereson nëse rriten çmimet, sepse njerëzit do të fillojnë të blejnë vetura amerikane”, është shprehur Trump.
Wall Street Journal ka raportuar të enjten se Trumpi ka zhvilluar një telefonatë këtë muaj me shefat ekzekutivë të kompanive të automjeteve dhe i ka kërcënuar ata me tarifa edhe më të larta nëse rrisin çmimet për shkak të taksave të importit.
Por Trumpi të shtunën ka thënë se shpreson që tarifat e tij të çojnë në çmime më të larta, sepse kjo do të inkurajojë prodhuesit e automjeteve të prodhojnë veturat dhe pjesët e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe të bindë klientët të blejnë ato amerikane.
"Shpresoj që ata t'i rrisin çmimet e tyre, sepse nëse e bëjnë, njerëzit do të blejnë vetura të prodhuara në Amerikë. Ne kemi shumë”, ka thënë Trump.
Presidenti ka thënë se mesazhi që ai u ka dhënë drejtorëve ekzekutivë ishte të kthenin prodhimin në Shtetet e Bashkuara.