Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, do të marrë pjesë në festën e rihapjes së katedrales “Notre Dame” në Paris, këtë fundjavë.
Ky do të jetë udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga fitorja e zgjedhjeve, raporton The Guardian.
Katedralja historike do të rihapet të shtunën pas më shumë se pesë vjetësh rindërtimi, si pasojë e një zjarri shkatërrues në vitin 2019, që përfshiu dhe pothuajse shkatërroi monumentin e Parisit.
Ceremonitë që do të mbahen të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen nën masa të sigurisë së lartë, ku pritet të marrin pjesë rreth 50 krerë shtetesh dhe qeverish.
Trumpi njoftoi se ai do të jetë mes tyre, në një postim në faqen e tij “Truth Social” të hënën në mbrëmje.
“Është nder të njoftoj se do të udhëtoj në Paris, Francë, të shtunën për të marrë pjesë në rihapjen e Katedrales së mrekullueshme dhe historike ‘Notre Dame’, e cila është restauruar plotësisht pas një zjarri shkatërrues pesë vjet më parë”, ka shkruar ai.
“Presidenti Emmanuel Macron ka bërë një punë të mrekullueshme duke siguruar që ‘Notre Dame’ të jetë rikthyer në nivelin e saj të plotë të lavdisë, dhe aq më tepër. Do të jetë një ditë shumë e veçantë për të gjithë!”, ka shtuar ai.
Një zjarr masiv përfshiu ‘Notre Dame’ në vitin 2019, duke shembur majën e saj dhe duke kërcënuar të shkatërrojë një nga thesaret më të mëdha arkitekturore në botë.
Trump, i cili ishte në krye të SHBA-së në atë kohë, u ofroi disa këshilla autoriteteve franceze.