Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-ja mund ta "marrë nën kontroll" Gazën.
Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të martën në mbrëmje, presidenti Trump ka thënë se SHBA-ja mund të "bëjë një punë të vërtetë" duke hequr bombat e pashpërthyera dhe duke rizhvilluar ekonomikisht territorin palestinez në "rivierën e Lindjes së Mesme", raporton BBC.
Ai gjithashtu ka përsëritur propozimin e tij që palestinezët të zhvendosen jashtë Gazës derisa ajo të rindërtohej, megjithëse vendet në të gjithë Lindjen e Mesme e kanë refuzuar më parë këtë propozim.
Ndërkohë, Netanyahu, lideri i parë i huaj që bëri vizitënë Shtëpinë e Bardhë në mandatin e dytë të presidentit amerikan, është shprehur se plani i Trumpit është një ide "që ia vlen t'i kushtohet vëmendje"
E ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, ka deklaruar se njerëzit e tij duan të kthehen në shtëpitë e tyre në Gaza, ndërsa Hamasi e ka quajtur planin e Trumpit "absurd".
Një zyrtar i Hamasit, Sami Abu Zuhri, i ka përshkruar komentet e Trumpit për marrjen e Rripit të Gazës si "qesharake" dhe "absurde".
“Vërejtjet e Trump për dëshirën e tij për të kontrolluar Gazën janë qesharake dhe absurde, dhe çdo ide e këtij lloji mund të ndezë rajonin”, ka deklaruar Abu Zhuri, sipas Reuters.
Komentet e presidentit vijnë në një pikë kritike, teksa negociatat për një fazë të dytë të procesit të armëpushimit të Gazës pritet të fillojnë së shpejti.
VIDEO:
Trump: Irani s’mund të ketë armë bërthamore
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Irani s’duhet të ketë armë bërthamore.
I pyetur për sanksionet iraniane gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, Trumpi ka thënë se e urrente më parë vendosjen e tyre, raporton BBC.
“Do të doja të isha në gjendje të bëja një marrëveshje të madhe me popullin e bukur të Iranit”, ka thënë Trumpi duke shtuar se ai ka shumë miq amerikano-iranianë.
Presidenti është shprehur se dëshiron të shmangë një "situatë katastrofike".
“Ata nuk mund të kenë armë bërthamore", ka deklaruar ai.
Trumpi planifikon ta vizitojë Gazën
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta vizitojë Gazën në të ardhmen.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu të martën në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi është shprehur se e pëlqen Lindjen e Mesme, raporton BBC.
“E dua Izraelin. Do të bëjë një vizitë atje, do të vizitoj Gazën, do të vizitoj Arabinë Saudite dhe do të vizitoj vende të tjera në të gjithë Lindjen e Mesme. Lindja e Mesme është një vend i jashtëzakonshëm, kaq e gjallë, është një nga vendet vërtet të bukura me njerëz të mrekullueshëm. Kam qenë i ftuar kudo, por do të vizitoj disa vende”, është shprehur Trumpi.
I dërguari i Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, është bërë zyrtari i parë amerikan në 15 vjet që vizitoi Rripin e Gazës javën e kaluar.
Witkoff, një zhvillues i pasurive të paluajtshme, i ka thënë uebsajtit të lajmeve Axios se do të duhen rreth pesë vjet për të hequr mbeturinat dhe midis 10-15 vjet për t'u rindërtuar vendi i shkatërruar nga lufta.