Botë

Trumpi thotë se migrantët që kanë kryer vrasje kanë sjellë “shumë gjene të këqija” në SHBA

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kandidati nga radhët e republikanëve për president të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se migrantët që janë në SHBA dhe kanë kryer vrasje e kanë bërë këtë “pasi e kanë në gjene”. Ai tha se ka “shumë gjene të këqija” në SHBA, raporton agjencia “AP”. 

Është një shembull i radhës se si Trump po pretendon se imigrantët po ndryshojnë përbërjen trashëgimore të SHBA-së. Vitin e kaluar ai riktheu kujtimet e gjuhës së përdorur dikur nga Adolf Hitleri për të argumentuar se imigrantët që futen ilegalisht në SHBA “po helmojnë gjakun e vendit”. 

Trump ka bërë komentet e radhës të hënën në një intervistë në radio me moderatorin konservator Hugh Hewitt. 

Ai po kritikonte kundërshtaren e tij nga radhët e demokratëve Kamala Harris, kur po fliste. 

“Shumë prej tyre kanë vrarë dukshëm më tepër se vetëm një person. Dhe tash ata po jetojnë të lumtur në SHBA. E dini, tani vrasja – i besoj kësaj: është në gjenet e tyre. Dhe ne kemi shumë gjene të këqija në vendin tonë tash. Pastaj kishit 425 mijë njerëz që erdhën në vendin tonë që nuk duhet të ishin këtu, pasi janë kriminelë”, tha Trump. 

Ai përmendi statistika që Departamenti i Sigurisë Kombëtare thotë se përfshijnë raste nga administrata e vetë Trumpit. 

Fushata e Trumpit ka thënë se komentet e tij sa i përket gjeneve kishin të bënin me vrasësit. 

“Ai i referohej qartazi vrasësve, jo migrantëve. Është shumë e neveritshme që media është gjithmonë kaq e shpejtë për t’i mbrojtur vrasësit, përdhunuesit dhe kriminelët nëse kjo do të thotë të shkruajë një titull të keq për presidentin Trump”, tha në një deklaratë Karoline Leavitt, sekretaria për media e fushatës së Trumpit.