Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se mund të përdorë forcën ushtarake për të marrë nën kontroll Grenlandën.
"Ne do të marrim Grenlandën. Po, 100 për qind”, ka thënë Trump në një intervistë për NBC.
"Ka një mundësi të mirë që mund të bëhet pa forcë ushtarake”, ka thënë ai duke shtuar se megjithatë nuk përjashton as mundësitë e tjera, raporton Politico.
"Unë nuk heq asgjë nga tavolina”, është shprehur Trump.
Të premten, qeveria e Grenlandës ka njoftuar një marrëveshje për një koalicion midis demokratëve të Grenlandës dhe partive të tjera.
Obsesioni i Trumpit me ishullin strategjik dhe të pasur me minerale është forcuar në javët e fundit. Ai e ka bërë marrjen e Grenlandës nën kontroll, një prioritet kryesor të sigurisë kombëtare.
Trumpi ka thënë se SHBA-ja duhet ta ketë territorin nën kontroll “për të siguruar pozicionin e saj në Arktik”.
Komentet e presidentit amerikan vijnë pas një jave tensionesh diplomatike midis SHBA-së dhe Danimarkës, dhe pas vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance në Grenlandë.
Duke folur nga Baza Hapësinore e SHBA-së në bregun verilindor të Grenlandës të premten, Vance ka thënë se ndërhyrja ushtarake nuk do të ishte e nevojshme nëse grenlandezët vendosin të shkëputen nga Kopenhaga dhe të "përfundojnë një marrëveshje" me Uashingtonin.
Vance gjithashtu ka kritikuar Danimarkën, duke thënë se nuk ka bërë një punë të mirë për popullin e Grenlandës. Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen është përgjigjur duke publikuar një video ku e ka dënuar udhëtimin e nënpresidentit amerikan si mungesë respekti dhe duke kritikuar "tonin" e tij.
Ndërkaq, kryeministrja daneze Mette Frederiksen ka thënë se do të vizitojë ishullin në ditët në vijim për të forcuar bashkëpunimin midis Grenlandës dhe Danimarkës. Ndryshe nga Vance, ajo do të takohet me përfaqësues të qeverisë dhe banorë vendas.