Kandidati republikan për president, Donald Trump është rikthyer në vendin ku i shpëtoi për pak atentatit në korrik, duke deklaruar ndër të tjera se kundërshtarët e tij politikë “ndoshta u përpoqën ta vrisnin” për ta ndaluar atë të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
Në tubimin në Butler të Pensilvanisë të shtunën, Trumpit i është bashkuar edhe miliarderi Elon Musk, i cili bëri pretendimin e pabazë se nëse mbështetësit e Trumpit dështojnë t’ia dalin, "këto do të jenë zgjedhjet e fundit".
Tubimi u mbajt, me siguri të shtuar, në të njëjtin terren ku Trumpi u plagos në veshin e djathtë, teksa një zjarrfikës që ishte pjesëmarrës në tubim, Corey Comperatore, u vra kur një person i armatosur gjuajti me armë zjarri.
Vrasësi i mundshëm, 20-vjeçari Thomas Crooks nga Bethel Park, Pensilvani, u qëllua dhe u vra nga një snajper i Shërbimit Sekret.
Gjatë fjalimit të tij në tubimin e dytë në Butler, Trumpi po ashtu ka thënë se për 15 sekonda koha ndaloi në ditën e sulmit.
“Për 15 sekonda, koha ndaloi”, ka deklaruar Trumpi para turmës.
