Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të zhvillojnë një bidedë telefonike në ditët ose javët e ardhshme, dhe është joreale të synohet të dëbohen ushtarët rusë nga çdo centimetër i territorit ukrainas, ka thënë një këshilltar i lartë i Trumpit të dielën.
Trumpi i cili do të kthehet si president i SHBA-së më 20 janar, e cilëson veten si një mjeshtër i marrëveshjeve dhe është zotuar të përfundojë me shpejtësi luftën në Ukrainë, por nuk ka përcaktuar se si mund ta arrijë këtë, raporton Reuters.
Kongresmeni amerikan, Mike Waltz, këshilltar i ardhshëm për Sigurinë kombëtare, i ka thënë ABC-së të dielën se lufta duhet të përfundojë në mënyrë diplomatike.
"Të gjithë e dinë se kjo duhet të përfundojë disi diplomatikisht”, ka deklaruar Waltz, një besnik i Trumpit, i cili gjithashtu shërbeu në Gardën Kombëtare si kolonel.
"Unë thjesht nuk mendoj se është realiste të thuhet se ne do të dëbojmë çdo rus nga çdo pëllëmbë e tokës ukrainase, madje edhe nga Krimea. Presidenti Trump e ka pranuar këtë realitet dhe mendoj se ka qenë një hap i madh përpara se e gjithë bota ta pranonte atë realitet, tani le të ecim përpara”, ka deklaruar Waltz.
Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 ka lënë dhjetëra mijëra të vdekur, ka zhvendosur miliona njerëz dhe ka shkaktuar raportet më të tensionuara midis Moskës dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962.