Në vend të të gjitha planeve për nënshkrim marrëveshjeje e afrim qëndrimesh, lideri ukrainas u largua i vetëm, pa përcjellje, nga Shtëpia e Bardhë, pak pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i bërtiti publikisht para kamerave. Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se delegacionit ukrainas iu kërkua të largohej
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka akuzuar direkt presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se është i parespektueshëm, në një përplasje të pazakontë në Zyrën Ovale. Pos kësaj u hodh poshtë edhe mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje për mineralet, e që sipas Trumpit do t’ia mundësonte Ukrainës t’i afrohej fundit të luftës me Rusinë.
Gjatë vizitës te Trumpi në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky planifikohej ta nënshkruante marrëveshjen që do t’i jepte më shumë qasje SHBA-së në mineralet e rralla të Ukrainës. Pas kësaj pritej edhe mbajtja e një konference të përbashkët për medie.
Në vend të gjithë kësaj, lideri ukrainas u largua nga Shtëpia e Bardhë pak pasi Trumpi i bërtiti publikisht, duke treguar përbuzje të qartë. Pjatat me sallata dhe të tjerat për drekë mbetën të paprekura jashtë sallës së kabinetit, ku pritej që Trumpi e Zelensky dhe delegacionet e tyre të shijonin ushqimin.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se delegacionit ukrainas iu kërkua të largohej.
“Po luan bixhoz me jetët e miliona njerëzve. Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore dhe ajo që ti po bën është shumë jorespektuese për vendin, për këtë vend që të ka mbështetur shumë më tepër sesa shumë njerëz thonë që do të duhej”, i ka thënë Trumpi Zelenskyt.
10 minutat e fundit të takimit gati 45-minutësh u zhvilluan në tension të madh mes Trumpit, zëvendëspresidentit JD Vance dhe Zelenskyt, që u përplasën për përkushtimin e Rusisë në diplomaci.
Qëllimi kryesor i Zelenskyt ishte që të ulej me Trumpin për t’i kërkuar të mos e braktisë shtetin ukrainas dhe ta paralajmërojë për afrimin me presidentin rus, Vladimir Putin. Por ai u përball me zërin e ngritur të Trumpit, para plot kamerave.
Në një moment, Zelensky ka thënë se Putini “e ka shkelur nënshkrimin” e tij 25 herë për marrëveshje armëpushimi dhe të tjera dhe se nuk mund t’i besohet. Trumpi është përgjigjur se Putini nuk i ka shkelur marrëveshjet e zotuara me të dhe kundërshtonte pyetjet për ofrim të garancisë për siguri për Ukrainën, duke thënë se mendon që marrëveshja për mineralet – që tash ka ngelur pezull – do t’i jepte fund efektivisht luftës.
Gjërat u tensionuan sapo Vance e sfidoi Zelenskyn duke e quajtur “mosrespekt” përpjekjen e liderit ukrainas që të diskutohet para medieve për ofrimin e garancisë. Zelensky u përpoq të kundërshtonte, duke nxitur ngritjen e zërit nga Trumpi. “Ju po luani bixhoz me jetët e miliona njerëzve”, përsëriti ai.
Vetëm pak pas kësaj, Trumpi postoi në rrjetin e tij social duke thënë se ka konstatuar që Zelensky nuk është i gatshëm për paqe.
“Ai shfaqi mosrespekt ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Zyrën e dashur Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, ka shkruar ai.
Trumpi po ashtu ka thënë se diskutimi i tensionuar ishte produktiv. “U mësua shumëçka që s’mund të kuptohej kurrë pa biseda nën zjarr e presion të tillë. Është e mahnitshme ajo që del përmes emocioneve”, ka shtuar ai.
Demokratët e kritikuan menjëherë administratën për dështimin. Lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, ka thënë se Trumpi dhe Vance “po bëjnë punën e pistë të Putinit”.
Diskutimi i ashpër ishte tej mase befasues për shkak se ndodhi vetëm një ditë pas tonit më të butë të Trumpit ndaj Ukrainës, duke thënë se përkrahja e Amerikës për një shtet kundër pushtimit rus “është gjë shumë e duhur për ta bërë” dhe duke mohuar se i kujtohet që ndonjëherë e ka quajtur Zelenskyn “diktator”.
Trump dhe Zelensky patën diskutime të qeta dhe me admirim për njëri-tjetrin për gati gjysmë ore të diskutimit. Por kur lideri ukrainas ngriti alarmin se a duhet t’i besohet Putinit për fundin e luftës, Vance e shprehu zëshëm qortimin për mospajtimet e Zelenskyt para medieve.
Kjo nxiti menjëherë reagime me Zelenskyn që përpiqej të mbrohej e Trumpi dhe zëvendësi i tij që e përplasnin duke e kërcënuar me humbje të përkrahjes amerikane.
“Do të jetë shumë gjë e vështirë që të kryejmë punë kështu”, i ka thënë Trumpi Zelenskyt, teksa të dy diskutonin me zë njëri mbi të tjetrit për përkrahjen ndërkombëtare në të kaluarën për Ukrainën.
Vance më pas ndërhyri. “Prapë, vetëm thuaj faleminderit”, ishte reagimi i tij duke e kritikuar Zelenskyn për shfaqjen e mospajtimeve në publik.
Trumpi dukej i kënaqur që gjithçka po incizohej. “Mendoj se është mirë që populli amerikan po e sheh çka po ndodh”, ka thënë Trumpi.
Presidenti amerikan ka sugjeruar që Zelensky duhet të mos kërkojë koncesione.
“Ju nuk jeni në pozitë të mirë. S’i keni letrat në duar. Me ne, do të nisni t’i keni”, i ka thënë Trumpi duke ia drejtuar gishtin Zelenskyt.
Pak para se takimi të mbyllej, Trumpi u shpreh sërish se “kjo do të jetë shfaqje e mrekullueshme televizive”.
E vonë, pas takimit të dështuar, Zelensky shkroi fjalën “faleminderit” katër herë në rrjete sociale. “Faleminderit Amerikë, faleminderit për mbështetjen tuaj. Faleminderit për këtë vizitë. Faleminderit president Trump, Kongres dhe popull amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe ne po punojmë pikërisht për këtë”, ka shkruar ai në X.
Para gjithë këtij shpërthimi, Zelensky pritej të nënshkruante një marrëveshje historike me SHBA-në, që kishte cak financimin e rindërtimit të Ukrainës së shkatërruar nga lufta, e që do t’i lidhte dy shtetet për vite të tëra pas luftës.
Në kohën kur forcat ukrainase po mundohen të rezistojnë ndaj avancimit të ngadaltë por të qëndrueshëm të Rusisë shumë herë më të fuqishme dhe më të pajisur, udhëheqësit në Kiev synonin të rrisnin presionin që të sigurojnë një plan të paqes të ndërmjetësuar nga SHBA-ja e që do të përfshinte garanci për sigurinë e ardhshme të vendit.
Shumë ukrainas druajnë se paqja e negociuar me nxitim – veçanërisht kompromisi përballë kërkesave ruse – do t’ia mundësonte Moskës riarmatosjen dhe konsolidimin para një pushtimi të mëvonshëm.
Trumpi, republikani që sivjet u rikthye në postin e presidentit, e kishte cilësuar marrëveshjen e diskutuar si shans për Kievin që ta kompensojë SHBA-në për ndihmat e ofruara gjatë kohës së presidentit demokrat Joe Biden. Por Zelensky ishte i vendosur që garancitë për sigurinë të përfshihen në çfarëdo marrëveshje të mundshme për t’i dhënë SHBA-së qasje në burimet e Ukrainës.
Ishte hera e pestë që Zelensky vizitoi Shtëpinë e Bardhë. Të gjitha të tjerat vizita ishin në kohën e administratës Biden.
Droja se Trumpi mund të arrijë marrëveshje paqeje me Rusinë, jo në favor të Ukrainës u shtuan pas veprimeve të fundit të administratës së tij. Ai ditë më parë bisedoi në telefon me presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtarë të lartë amerikanë u takuan me rusët në Arabinë Saudite, pa ftuar liderë evropianë apo të Ukrainës. Të dyja lëvizjet ishin kundër politikës amerikane për ta izoluar Putinin.
Trumpi më pas akuzoi Ukrainën për nisje të luftës dhe e quajti Zelenskyn “diktator” që nuk ka mbajtur zgjedhje të rregullta, edhe pse në Ukrainë është në fuqi ligji i luftës, që i ndalon zgjedhjet.
Evropa përkrah Zelenskyn
Pasi u përzu nga takimi me Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka marrë përkrahje nga disa prej liderëve evropianë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka deklaruar se dihet që Rusia është agresori dhe se Ukraina është e sulmuara. Ai ka thënë se Franca e ka ndihmuar Ukrainën dhe ka sanksionuar Rusinë për tre vjet dhe do të vazhdojë ta bëjë të njëjtën gjë. Më e ashpër ishte përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, që ka thënë se nga sot u qartësua se bota e lirë ka nevojë për lider të ri dhe se u takon evropianëve ta marrin përsipër këtë sfidë. Ndërkohë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje për samit urgjent mes SHBA-së dhe Evropës. Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka reaguar duke thënë se Ukraina mund të mbështetet në Gjermaninë dhe Evropën. Mbështetje Zelenskyt i ka ofruar edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Ai ka thënë shkurt se Ukraina nuk është vetëm. Ngjashëm ka komentuar edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez. Edhe liderët e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, Kaja Kallas dhe Antonio Costa, kanë mbështetur Ukrainën përmes deklaratave të tyre. Liderë të tjerë evropianë që i ofruan mbështetje Zelenskyt pas tensioneve me Trumpin ishin krerët e Norvegjisë, Holandës, Luksemburgut, Portugalisë, Suedisë, Lituanisë, Irlandës, Letonisë dhe Çekisë. Victor Orban, kryeministri hungarez, ishte i vetmi lider evropian që mbështeti Trumpin pas takimit.
Trumpi thotë se Zelensky dëshiron të “luftojë”
Gjatë një prononcimi të shkurtë në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka komentuar edhe një herë tensionet me presidentin e Ukrainës, Vlodymyr Zelensky.
Ai ka deklaruar se takimi nuk shkoi siç duhej dhe se Zelensky veproi me më shumë besim sesa duhet.
“Ai dëshiron të luftoj, luftoj, luftoj”, ka thënë Trumpi duke iu referuar takimit të tensionuar të mëhershëm me Zelensky.
Po ashtu Trumpi ka shtuar se armëpushimi mund të arrihet menjëherë, por Zelensky duhet të thotë se dëshiron paqe nëse dëshiron të vazhdojë bisedimet.
SHBA-ja s’përjashton mundësinë që marrëveshja për mineralet të kthehet sërish
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, ka deklaruar se presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, mund ta kthejë sërish në tavolinë marrëveshjen për mineralet e rralla – e cila ishte paraparë të nënshkruhej sot në Shtëpinë e Bardhë, por dështoi pas tensioneve që pati me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Nuk do të thotë që nuk mund të bëhet më. Dhe nga aty vije lidershipi i vërtetë, dhe Zelensky mundet, unë mendoj, shfaqe atë për ne”, ka deklaruar Bruce gjatë një interviste për Fox Business.
I pyetur nëse Zelensky duhet të vazhdojë të jetë lideri i Ukrainës, Bruce u shpreh se “çfarë është më e rëndësishmja në botën diplomatike dhe në botën demokratike është se populli i Ukrainës do të vendosë për këto çështje”.
“Presidenti Zelensky, mendoj ndoshta është duke menduar dy herë, por e ka një shans për të kthyer këtë në anën tjetër, dhe ai duhet, për hir të popullit”, ka shtuar ai.
Meloni kërkon “samit të menjëhershëm” mes SHBA-së dhe Evropës
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se liderët e shteteve perëndimore duhet të flasin direkt se si do të përballen me sfidat më të mëdha globale, duke filluar me Ukrainën. Për këtë, ka propozuar samit SHBA – Evropë.
“Çdo ndarje e Perëndimit na bën të gjithë më të dobët dhe favorizon ata që do të donin të shohin rënien e qytetërimit tonë, një ndarje nuk do t’i leverdiste askujt”, ka shtuar Meloni.
Këto thirrje erdhën pas përplasjes së sotme në Shtëpinë e Bardhë në mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikë, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mbi marrëveshjen për përfundimin e luftës.
Fqinji i SHBA-së përkrah Zelenskyn
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Melanie Joly, ka përkrahur publikisht presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, pasi u përzu nga takimi në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pas përplasjes publike për marrëveshjen e paqes për luftën në Ukrainë.
“Ne besojmë në mbështetje të Ukrainës, qartësisht rusët janë duke marrë shënime për atë se çfarë ndodhi sot. Qëllimi ynë është të sigurohemi se mund të vazhdojmë të mbështesim ukrainasit dhe të mbajmë të fortë unitetin e G-7-tës në mesin e gjithë kësaj papërshkueshmërie dhe nganjëherë edhe kaosi”, ka deklaruar Melanie Joly.
Orbani lavdëron qasjen e Trumpit gjatë takimit me Zelenskyn
Kryeministri i Hungarisë, Victor Orban, është lideri i parë evropian i cili ka përkrahur presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pasi ky i fundit ka përzërë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, pas përplasjes rreth marrëveshjes së paqes në Ukrainë.
“Burrat e fortë bëjnë paqe, burrat e dobët bëjnë luftë, sot presidenti, Donald Trump ka qëndruar i guximshëm për paqen. Edhe pse ishte e vështirë për shumët ta kapërdirë. Faleminderit, zotëri President!”, ka shkruar Orban në rrjetin social “X”.
Kallasi thotë se “bota e lirë” ka nevojë për lider të ri
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Kaja Kallas, ka komentuar përplasjen në mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, ajo ka shkruar se “Ukraina është Evropë, ne qëndrojmë me Ukrainën, do të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën që ata të mund të vazhdojnë të luftojnë agresorin”.
“Sot u bë e qartë se ‘bota e lirë’ ka nevojë për një lider të ri, është mbi neve, evropianët, të marrim këtë sfidë”, ka shkruar Kallasi.
Dalin detajet, si e përzuri Trumpi Zelenskyn
Pasi presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelneksy u përfshinë në përplasje në takim, Trump u mblodh me njerëzit kryesorë të tij në Zyrën Ovale.
Trumpi ka konsultuar zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, dhe këshilltarë të tjerë, pak pasi Trumpi dhe Vance e akuzuan Zelenskyn se është jofalënderues për ndihmat e SHBA-së, ka raportuar CNN bazuar në deklaratat e një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.
Ky ishte momenti kur ekipi vendosi që “Zelensky nuk është për të negociuar”.
Ai udhëzoi Rubion dhe këshilltarin për siguri, Mike Waltz, t’ia përcjellin Zelenskyt mesazhin: “Është koha të largoheni”.
Ukrainasit ndërkaq po qëndronin në një dhomë të ndarë, që është standarde për liderët që vizitojnë Shtëpinë e Bardhë.
Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë ka thënë që ukrainasit protestuan dhe kërkuan të vazhdojnë bisedimet, por amerikanët ishin të prerë.
Pas kësaj, Zelensky doli pa përcjellje.
FULL VIDEO of the heated exchange between Trump, Vance and Zelensky pic.twitter.com/NskL3URZZB
Zelensky falënderon Amerikën 4 herë: Po punojmë për paqe të drejtë
Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka bërë reagim në rrjetet socialet vetëm pak momente pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në takimin e tensionuar me homologun amerikan Donald Trump.
Zelensky ka falënderuar Amerikën për mbështetjen dhe ka thënë se po punohet për të gjetur paqe të drejtë që t’i jepet fund luftës.
“Faleminderit Amerikë, faleminderit për mbështetjen tuaj, faleminderit për këtë vizitë. Faleminderit presidenti Trump, Kongresi dhe populli amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe ne po punojmë pikërisht për këtë”, ka shkruar ai në X.
FULL VIDEO of the heated exchange between Trump, Vance and Zelensky pic.twitter.com/NskL3URZZB
Shtëpia e Bardhë konfirmon se Zelensky u përzu
Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe delegacionit të tij iu kërkua të largohej nga Shtëpia e Bardhë para kohe, gjatë takimit të tensionuar me presidentin amerikan Donald Truump.
Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë që nuk ka qenë i autorizuar të flasë publikisht, sipas agjencisë prestigjioze të lajmeve “Associated Press”.
Zelensky u përzu nga takimi pas tensioneve që nisën pasi Trumpi i tha mosmirënjohës. Palët ishte paraparë të nënshkruhej marrëveshje për mineralet, por as kjo nuk u nënshkrua.
FULL VIDEO of the heated exchange between Trump, Vance and Zelensky pic.twitter.com/NskL3URZZB
Macroni përkrah Zelenskyn
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka përkrahur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenksy, pas përplasjes me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në takimin e sotëm në Shtëpinë e Bardhë.
“Rusia është agresori, dhe Ukraina është populli i sulmuar... mendoj se ishim në rregull kur ndihmuam Ukrainën dhe sanksionuam Rusinë tre vjet më parë, dhe të vazhdojmë ta bëjmë atë... ne duhet... të respektojmë ata që kanë luftuar që nga fillimi”, ka thënë Macroni gjatë një vizite në Portugali.
Zelenskyt në përkrahje i ka dalë edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.
"Ukrainë, Spanja është me ju", ka shkruar ai.
Takimi Zelensky – Trump përfundoi para kohë dhe nuk pati marrëveshje për mineralet e rralla.
FULL VIDEO of the heated exchange between Trump, Vance and Zelensky pic.twitter.com/NskL3URZZB
— BNO News Live (@BNODesk) February 28, 2025
Zelensky falënderon liderët evropianë për mbështetjen
Presidenti i Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka falënderuar liderët evropianë që e mbështetën pas tensioneve që pati në takimin me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në Shtëpisë e Bardhë.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj”, ka shkruar Zelensky në llogarinë e tij në rrjetin social “X”.
Në krah të presidentit ukrainas dolën liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Norvegjisë, Spanjës, Suedisë e të tjera.
Këshilltari i Putinit komenton përplasjen e Trumpit me Zelenskyn
Kirill Dmitriev, këshilltari i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin ka komentuar përplasjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
FULL VIDEO of the heated exchange between Trump, Vance and Zelensky pic.twitter.com/NskL3URZZB
Në një postim në rrjetin social “X” ai ka shkruar shkurt se kjo është “historike”, duke ju referuar një postimi që paraqiste përplasjen në mes presidentëve.
Historic. https://t.co/mfsftGUKe9
— Kirill A. Dmitriev (@kadmitriev) February 28, 2025
Kryeministri polak i del në krah Zelenskyt
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i është përgjigjur skenave në Zyrën Ovale, ku më herët është mbajtur takimi në mes presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë të cilës palët ishin përballur në debat rreth zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë.
“I dashur Zelensky, të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm”, ka shkruar Tusk në rrjetet sociale.
Takimi Zelensky – Trump përfundoi para kohë dhe pa marrëveshje për mineralet e rralla.
Nuk nënshkruhet marrëveshja për mineralet e rralla
Nuk është nënshkruar marrëveshja për mineralet e rralla ukrainase mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij të Ukrainës, Vlodymyr Zelensky, ka konfirmuar Shtëpia e Bardhë.
Trumpi dhe Zelensky u takuan sot në Shtëpinë e Bardhë pikërisht për ta nënshkruar këtë marrëveshje.
Por takimi përfundoi para kohë pas përplasjeve mes Zelenskyt, Trumpit dhe zëvendëspresidentit të SHBA-së, JD Vance.
Zelensky largohet pa përcjelljen e Trumpit nga Shtëpia e Bardhë
Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky është larguar pa përcjelljen e homologut amerikan Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë, raporton BBC.
Zelensky e përfundoi takimin para kohe pas tensioneve në Zyrën Ovale me Trumpin dhe zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Pamjet treguan presidentin ukrainas duke dalë me nxitim nga Shtëpia e Bardhë dhe duke u futur në fuoristradën e zezë.
Pak minuta më herët, Trumpi në rrjetin e tij “Truth Social” shkroi se Zelensky “nuk ka respektuar SHBA-në në Zyrën e tyre Ovale”.
“Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, ka shtuar Trumpi.
Takimi Trump-Zelensky përfundon para kohe
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të lërë para kohës së planifikuar, takimin me presidentin amerikan, Donald Trump.
Ndërkaq në një postim në rrjete sociale, Trump ka akuzuar Zelenskyn se nuk është i gatshëm për paqe “nëse është Amerika e përfshirë, sepse ai ndien se kjo përfshirje po i jep avantazh të madh në negociata”.
“Nuk dua avantazh, dua paqe”, ka thënë ai.
“Ai nuk e ka respektuar SHBA-në në Zyrën e saj Ovale. Dhe ai mund të kthehet kur është i gatshëm për paqe”, ka thënë Trumpi.
Kjo nënkupton edhe anulimin e konferencës së përbashkët për media.
Trump-Zelenskyt: Shteti yt është në telashe të mëdha
Në mes të tensioneve të shumta në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump e ka paralajmëruar Zelenskyn se vendi i tij është në rrezik të madh, dhe se Ukraina nuk është duke e fituar luftën, duke i bërë presion liderit ukrainas që të bëjë lëshime në marrëveshjen e armëpushimit.
E Zelensky duke dashur të ndërhynte është ndalur nga Trumpi që i ka thënë “jo, jo, ju keni folur shumë”. “Shteti yt është në telashe të mëdha”, i ka thënë Trumpi homologut ukrainas që miraton deklaratën.
“Nuk do ta fitoni këtë, por keni shans të mirë të dilni mirë falë nesh”, ka shtuar tutje presidenti amerikan.
“Ju kemi dhënë përmes presidentit budalla(duke ju referuar ish presidentit Joe Biden) 350 miliardë dollarë, në pajisje ushtarake… nëse ju nuk do të kishit pajisjet e tona ushtarake kjo luftë do të përfundonte Brenda dy javësh”, ka thënë tutje Trumpi.
Trump-Zelenskyt: Po luani me luftën e tretë botërore
Sipas gazetarëve brenda Shtëpisë së Bardhë, ka pasur tensione në takimin mes presidentit amerikan, Donald Trump, atij ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe zëvendëspresidentit amerikan JD Vance.
Siç ka shkruar BBC, Vance e ka akuzuar Zelenskyn se është “i parespektueshëm”.
Ndërsa Trump më pas ka thënë se lideri ukrainas “po luan me luftën e tretë botërore”.
“A keni thënë vetëm një herë faleminderit?” ka qenë thënia që Vance e ka përdorur në mes të tensioneve.
Trumpi i ka thënë presidentit të Ukrainës, “ose e bëni një marrëveshje ose ne jemi jashtë”, duke ju referuar se SHBA-ja mund të heqë dorë nga ndihma ndaj Ukrainës nëse Zelensky nuk bën një marrëveshje.
Takimi është mbyllur me fjalinë e Trumpit drejtuar Zelenskyt se “ai nuk është falënderues” dhe se “kjo do të jetë shfaqje e mrekullueshme televizive”.
Zelensky thotë se Trumpi është në anën e Ukrainës, presidenti amerikan thotë se është në mes
“Mendoj se presidenti Trump është në anën tonë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nga Shtëpia e Bardhë, gjatë takimit me presidentin amerikan, Donald Trump.
Por, presidenti amerikan, ka deklaruar se ai është në mes të Ukrainës dhe Rusisë, për arritjen e marrëveshjes së paqes.
“Jam në mes. Jam për të dyja, për Ukrainën dhe Rusinë. Dua ta zgjidh këtë”, ka thënë Trumpi.
Zelensky ka thënë se s’duhet të ketë kompromise me Putinin gjatë negociatave për marrëveshjen e paqes.
Zelensky për marrëveshjen mbi mineralet: Ky dokument nuk është i mjaftueshëm
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se marrëveshja që dy shtetet pritet ta nënshkruajnë sot, atë që SHBA-ja t’i shfrytëzojë mineralet e rralla të Ukrainës në këmbim të ndihmës ushtarake, nuk është e mjaftueshme.
Ai ka thënë se Rusia e Vladimir Putinit e ka filluar konfliktin dhe se ai duhet t’i paguajë dëmet.
Trump për Ukrainën: Duhen kompromise, por jo aq të mëdha sa mendojnë njerëzit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në pritje të presidentit ukrainas në takim ka thënë se Ukraina duhet të bëjë kompromise, për shkak se “nuk mund të bësh marrëveshje pa kompromise”. Ai megjithatë ka deklaruar se “ato s’do të jenë aq të mëdha sa njerëzit mendojnë”.
Trumpi ka konfirmuar se të premten do ta nënshkruajë marrëveshjen për minerale me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ai ka thënë se marrëveshja është “fer”.
Sipas tij, materialet e rralla do të “përdoren për gjithçka që mundet” SHBA-ja, duke përfshirë inteligjencën artificiale e armët ushtarake.
Po ashtu ai ka lavdëruar trupat ukrainase për përballjen me Rusinë.
Zelensky ka falënderuar Trumpin për marrëveshjen e mineraleve të rralla dhe ka thënë se ai dëshiron të flasë rreth asaj se çfarë është e gatshme të bëjë SHBA-ja. Ai ka thënë se “së bashku ne mund ta ndalojmë atë”, duke ju referuar presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Zelensky ka shtuar se Ukraina ka nevojë për mbrojtje ajrore nga SHBA-ja.
Ai i ka treguar disa pamje të luftës Trumpit, dhe ka shtuar se “edhe në luftë ka rregulla". "Këta nuk kanë rregulla”, u shpreh ai duke iureferuar trupave ruse në Ukrainë.