Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar të enjten vonë nominimin e republikanëve për president në garën e nëntorit, teksa ka mbajtur një fjalim në Konventën Kombëtare të Republikanëve.
Ai ka përmendur atentatin ndaj tij ndërsa ka mbajtur fjalimin që e nisi me thirrjen për unitet e më pas iu kthye sulmeve ndaj rivalit politik.
“Nuk supozohej të isha këtu sonte”, ka thënë Trump.
“Po garoj për të qenë president për të gjithë Amerikën, jo gjysmën e Amerikës, sepse nuk është fitore të fitosh për gjysmën e Amerikës”, ka shtuar ai në fjalimin 91 minutash.
Ai më pas sulmoi demokratët për rastet penale me të cilat ai përballet. Përsëriti akuzat e rreme duke akuzuar demokratët se mashtruan në zgjedhjet e vitit 2020.
Në një moment të fjalimit ai tha: “Jam unë ai që po e shpëtoj demokracinë për njerëzit e vendit tonë”.
Trump premtoi se do ta ulte inflacionin dhe “çdo krizë ndërkombëtare” pa përmendur diçka specifike. U zotua se do t’i jepte fund konflikteve në botë, përfshirë atë në Ukrainë. Më tej është zotuar për kthim të pengjeve amerikane në shtëpi.
Adresimi i Trumpi përmbylli Konventën katërditore të Republikanëve. Ai përballet me presidentin aktual, Joe Biden. Bideni është përballur me presion nga aleatët, madje nga ish-presidenti Barack Obama, për të hequr dorë nga gara për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tij.