Botë

Trumpi po mbyll programe për Diversitet e Barazi, mijëra punonjës në pushim me pagesë

Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka marrë vendim që të gjithë punonjësit federalë në detyrat për Diversitet, Barazi dhe Përfshirje të vendosen në pushime me pagesë.

NBCNews ka raportuar të mërkurën se ky vendim u mor derisa agjencitë po përgatiten t'i mbyllin të gjitha zyrat dhe programet që ndërlidhen me DEI.

DEI është pjesë e qeverisë amerikane, si koncept strategjik që zbatohet nga institucione, organizata ose kompani për të krijuar një mjedis të barabartë dhe gjithëpërfshirjes.

Për konceptin DEI punojnë mijëra persona në SHBA.

Trump gjithashtu ka kërkuar nga agjencitë federale që të paraqesin një plan me shkrim deri më 31 janar për shkarkimin e punonjësve. Trump ka nënshkruar edhe një urdhër ekzekutiv duke i dhënë fund programeve "radikale dhe të kota" të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.

Republikani ka premtuar ndryshime rrënjësore brenda politikave amerikane.

Ai në ditën kur u betua tha se politika amerikane njeh vetëm gjinitë mashkullore dhe femërore.