Botë

Trumpi po konsideron ta çojë Grenellin si emisar në Iran

Richard Grenell & Donald Trump

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po konsideron ta çojë ish-shefin e inteligjencës, Richard Grenell, si të dërguar special për Iranin, ka raportuar Reuters të enjten.

“Ai (Grenell) është padyshim në garë”, ka thënë një person i njohur me planin e tranzicionit të Trumpit, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Asnjë vendim përfundimtar nuk është marrë nga Trumpi në lidhje me Iranin – qoftë për personelin, qoftë për strategjinë, duke përfshirë nëse do t’i vendosin sanksione të reja për ta ndaluar programin e tyre bërthamor.

Ekipi i Trumpit dhe Grenellit nuk u përgjigjën kërkesave për koment. Është hera e parë që raportohet se Trumpi po mendon të dërgojë një emisar special në Iran.

Por planet e tilla janë sinjale për rajonin se presidenti i ri i SHBA-së mund të jetë i hapur për bisedime me një vend të cilin e ka kërcënuar më parë derisa Korpusi elitar i Gardës Revolucionare Islamike ka kërkuar ta vrasë atë. Irani e ka mohuar pretendimin.

Në këtë rol, Grenelli do të ngarkohet për bisedime me vendet brenda dhe përtej rajonit për çështjen e Iranit si dhe të vlerësojë gatishmërinë e Teheranit për negociatat e mundshme.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, i cili shihet si relativisht i moderuar, ka thënë pas zgjedhjes së Trumpit se Teherani duhet “të merret me SHBA-në” dhe “të menaxhojë” marrëdhëniet me armikun kryesor.

Kohëve të fundit, Irani ka pësuar sërë pengesash strategjike, duke përfshirë sulmin e Izraelit ndaj milicive përfaqësuese të Teheranit, Hamas në Gaza dhe Hezbollahut në Liban, si dhe rrëzimin e aleatit iranian Bashar al-Assad në Siri.

Por tensionet mbeten të larta më shumë se një vit pasi Hamasi sulmoi Izraelin jugor, duke nisur luftën në Gaza. Ndërkohë, përfaqësues të tjerë iranianë kanë sulmuar objektiva të SHBA-së, Izraelit dhe të tjera perëndimore, dhe Teherani ka përshpejtuar programin bërthamor duke kufizuar monitorimin e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.

Nuk është puna e parë për të cilën Trumpi po konsideron Grenellin, i cili shërbeu si ambasador i Trumpit në Gjermani, i dërguar special për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë dhe si ushtrues detyre i drejtorit të inteligjencës kombëtare gjatë mandatit të Trumpit 2017-2021.

Pas fitores së Trumpit më 5 nëntor, Grenell ishte pretendenti kryesor për të qenë sekretar i Shtetit e më pas edhe i dërguar special për luftën në Ukrainë. Por këto poste i shkuan përkatësisht senatorit amerikan Marco Rubio dhe gjeneral-lejtnantit në pension Keith Kellogg. Trumpi merr detyrën më 20 janar.

Gjatë mandatit të parë, në vitin 2020, Trumpi urdhëroi sulmin ajror të SHBA-së që vrau komandantin e lartë ushtarak të Iranit, Qassem Soleimani.

Trump në vitin 2018 refuzoi gjithashtu marrëveshjen bërthamore të arritur nga paraardhësi i tij Barack Obama në vitin 2015 dhe rivendosi sanksionet ekonomike ndaj Iranit që ishin lehtësuar. Marrëveshja kishte kufizuar aftësinë e Iranit për të pasuruar uraniumin, një proces që mund të prodhojë materiale të zbërthyeshme për armët bërthamore.

Irani tani po përshpejton “në mënyrë dramatike” pasurimin e uraniumit me pastërtinë deri në 60 për qind. Irani ka thënë se programi bërthamor shërben vetëm për qëllime paqësore.