Botë

Trumpi planifikon të limitojë udhëtimet për në SHBA për qytetarët nga 41 shtete

donald trump

Foto: Associated Press

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është duke konsideruar limitimin e udhëtimit për qytetarët e shumë shteteve si pjesë e ndalesës së re, sipas burimeve me njohuri rreth kësaj çështjeje dhe një dokumenti të parë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sipas dokumentit, aty janë të listuar 41 shtete, të ndara në tri grupe. Grupi i parë me dhjetë vende përfshinë Afganistanin, Iranin, Sirinë, Kubën dhe Korenë e Veriut, që do të vendosen për pezullim të plotë të vizave.

Në grupin e dytë me pesë vende – Eritrea, Haiti, Laosi, Burma dhe Sudani i Jugut – do të kenë pezullim të përkohshëm që do të ndikonte në vizat turistike dhe studentore, si dhe vizat tjera të imigrantëve, me disa përjashtime. Në grupin e tretë me 26 vende që përfshinë Bjellorusinë, Pakistanin dhe Turkmenistanin, do të konsiderohen për pezullim të pjesshëm të lëshimit të vizave për në SHBA nëse qeveritë e tyre “dështojnë në përpjekjet për të adresuar mungesat brenda 60 ditëve”, shkruan në dokument.

Një zyrtar nga SHBA-ja i cili ka folur në kushte anonime ka paralajmëruar se mund të ketë ndryshime në listë dhe se akoma duhet të aprovohet nga administrata, duke përfshirë edhe sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubio.

“New York Times” fillimisht ka raportuar për listën e shteteve dhe listën e mëhershme të ndalimeve që e pati vendosur Trumpi gjatë mandatit të parë, që ka përfshirë shtatë vende me shumicë myslimane.

Ajo politikë ka shkuar në disa filtra deri sa është bllokuar nga Gjykata Supreme në vitin 2018.

Me 20 janar të këtij viti, Trumpi ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që urdhëron rritje të kontrollit për të gjithë të huajt që dëshirojnë të hynë në SHBA për të detektuar kërcënimet për sigurinë kombëtare, duke vendosur kohën e fundit më 21 mars për një listë të vendeve për të cilat udhëtimi duhet të pezullohet pjesërisht apo plotësisht sepse “informacioni shqyrtues dhe verifikues është i mangët”.

Direktiva e Trumpit është pjesë e një ndjekjeje ndaj imigrimit që ai ka filluar në fillim të mandatit të dytë.