Botë

Trumpi planifikon ta emërojë ish-ndihmësin e tij si drejtor të FBI-së

Kash Patel

Kash Patel

Foto: Associated Press

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur ish-ndihmësin, Kash Patel, për të udhëhequr Byronë Federale të Hetimit, një agjenci që Patel e ka kritikuar shpesh.

Ish-shefi i shtabit të departamentit të mbrojtjes së SHBA-së në administratën e parë të Trumpit, Patel ka qenë një mbështetës i palëkundur i presidentit të ardhshëm republikan, raporton BBC.

Që Patel të merrte këtë detyrë, drejtori aktual i FBI-së, Christopher Ëray, do të duhej të jepte dorëheqjen ose të pushohej - megjithëse Trumpi në postimin e tij nuk ka bërë thirrje për këtë. 

Trumpi ka thënë po ashtu se ka në plan të emërojë Chad Chronister, sherif i kontesë Hillsborough të Floridës, si kreu i Agjencisë së Zbatimit të Drogës.

Patel, Chronister dhe kandidatja për Prokurore të Përgjithshme, Pam Bondi plotësojnë zgjedhjet e Trumpit për zyrtarë të zbatimit të ligjit.

Gjithashtu të shtunën, Trumpi ka njoftuar se ka zgjedhur Charles Kushner si ambasador në Francë.

Kushner është një zhvillues i pasurive të paluajtshme dhe babai i Jared Kushner, bashkëshorti i vajzës së Trumpit, Ivanka Trump.

Emërimi duket të jetë pozicioni i parë i administratës që Trumpi i ka ofruar zyrtarisht një të afërmi që nga rizgjedhja e tij.