Ka përshkallëzuar lufta tregtare në mes SHBA-së dhe Kinës. SHBA-ja i ka rritur në 125% tarifat ndaj produkteve kineze derisa ka ulur në 10% ato për vendet e tjera. Gjatë së mërkurës Kina u është kundërpërgjigjur tarifave të Amerikës, duke i rritur tarifat për importet amerikane në 84%.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vazhduar luftën tregtare me Kinën, ndërsa ndaj shteteve të tjera ka pezulluar tarifat e larta reciproke për 90 ditë, duke i kthyer ato në tarifa 10 për qind.
Kina dhe Bashkimi Evropian vendosën më herët të mërkurën kundërmasa ndaj produkteve amerikane. Si pasojë e vendimit të Kinës për t’iu kundërpërgjigjur, SHBA-ja ka rritur tarifat në 125% ndaj importeve kineze.
“Shkaku i mungesës së respektit që Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore, unë po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, vendim që do të hyjë në fuqi menjëherë. Ndërkohë, shpresojmë se në të ardhmen e afërt, Kina do ta kuptojë se ditët e shfrytëzimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme”, ka shkruar Trumpi në rrjetin e tij social “TruthSocial”.
“Dhe duke u bazuar në faktin se më shumë se 75 vende kanë kontaktuar përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, unë kam autorizuar një pauzë 90-ditore dhe një tarifë reciproke të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%, vendim që gjithashtu hyn në fuqi menjëherë”, ka shtuar ai.
Të gjitha vendet e tjera, përveç Kinës, do të përballen me një tarifë prej 10% për një periudhë 90-ditore, ndërsa Kina do të përballet me tarifa prej 125%.
Vendimi i marrë të mërkurën nga Trumpi pati ndikim të menjëhershëm në tregjet globale, që filluan të këndellen.
SHBA-ja i ka bërë thirrje Kinës për bisedime rreth tarifave, por Kina e ka akuzuar atë për qasje bullizuese, dhe ka kërkuar nga SHBA-ja që të ndryshojë qasjen nëse synon të zgjidhë mosmarrëveshjet me dialog.
“Nëse SHBA-ja dëshiron që më të vërtetë t’i zgjidhë problemet përmes dialogut dhe negociatave, duhet të ketë qëndrim të barazisë, respektit dhe përfitimit të përbashkët. Nëse SHBA-ja nuk përfill interesat e dy vendeve dhe komunitetit ndërkombëtar dhe insiston në angazhimin në luftën tregtare dhe me tarifa, Kina patjetër që do të luftojë deri në fund”, ka deklaruar Lin Jian, zyrtar në Ministrinë e Jashtme të Kinës.
E të mërkurën, Bashkimi Evropian ka votuar në favor të vendosjes së tarifave për një pjesë të produkteve amerikane që arrin vlerën e 23 miliardë dollarëve. Masat do të hyjnë në fuqi më 15 prill. Derisa i ka konsideruar tarifat e SHBA-së si të dëmshme për të dyja palët dhe është treguar e hapur për bisedime dhe pezullim të kundërmasave nëse SHBA-ja pranon bisedimet.
“BE-ja i konsideron tarifat e SHBA-së si dëmtuese dhe të padrejta, të cilat po i dëmtojnë të dyja anët, si dhe ekonominë globale. BE-ja i ka theksuar në mënyrë të qartë preferencat për të gjetur një zgjidhje të negociuar me SHBA-në, e cila do të ishte e balancuar dhe përfituese për të dyja palët”, kanë deklaruar nga Komisioni i Bashkimit Evropian
Më 2 prill, SHBA-ja vendosi tarifa prej 20 për qind për të gjitha mallrat e shteteve të BE-së që futen në këtë vend.