Botë

Trumpi përshkallëzon retorikën kundër emigrantëve, fyen Harrisin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Kandidati republikan për president, Donald Trump ka përshkallëzuar retorikën e tij kundër emigrantëve dhe ka shtuar fyerjet personale kundër Kamala Harrisit, gjatë një tubimi të shtunën në shtetin e fushëbetejës së Wisconsin.

Fjalimi i Trump atje iu kushtua në mënyrë të pazakontë pothuajse tërësisht emigrantëve pa dokumente. 

Ai pretendoi se emigrantët në SHBA janë kriminelë të dhunshëm, duke iu referuar atyre si "vrasës të ftohtë", "përbindësha" dhe "kafshë të neveritshme".

Kandidati republikan për president ishte i rrethuar nga postera të emigrantëve në SHBA, të cilët janë arrestuar për vrasje dhe krime të tjera të dhunshme, dhe pankarta që shkruanin "Fund krimit të migrantëve" dhe "Dëboni ilegalët tani".

Trump duket se do të jetë në një garë të ngushtë me kundërkandidaten e tij, Kamala Harris, përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit. Emigracioni në kufirin jugor është një nga çështjet kryesore për votuesit, sipas sondazheve të opinionit.

Trump sulmoi Harrisin e cila të premten vizitoi kufirin SHBA-Meksikë për herë të parë në fushatën e saj presidenciale 2024, duke e quajtur atë "të paaftë mendërisht".

Ish-presidenti fajësoi Harrisin dhe presidentin Joe Biden për lejimin e emigrantëve pa dokumente në SHBA, duke akuzuar disa emigrantë se duan të "përdhunojnë, plaçkisin, vjedhin dhe vrasin njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

“Nuk ka akt më të madh tradhtie sesa të shuani sovranitetin e kombit tuaj pikërisht përmes kufirit tuaj, pavarësisht se çfarë gënjeshtra thotë ajo. Kamala Harris nuk mund të falet kurrë për fshirjen e kufirit tonë dhe ajo kurrë nuk duhet të lejohet të bëhet presidente e Shteteve të Bashkuara dhe Wisconsin-it”, ka deklaruar Trumpi ndër të tjera.

“Ajo është një fatkeqësi dhe ajo nuk do të bëjë kurrë asgjë për kufirin. Ajo është e paaftë dhe një person i keq. Ajo është një marksiste”, ka thënë Trumpi duke iu referuar Harrisit.