Botë

Trumpi për sulmin mbi Kiev: Vladimir, ndalu!

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të ndalet.

Duke reaguar për sulmin e së enjtes mbi Kiev, si pasojë e të cilit kanë mbetur të vdekur nëntë persona dhe të plagosur mbi 70, përfshirë fëmijë, Trumpi ka thënë se kjo nuk ishte e nevojshme.

“Nuk jam i kënaqur me sulmet ruse në Kiev. Nuk ishte e nevojshme, dhe koha shumë e keqe. Vladimir, NDALU! 5.000 ushtarë në javë vdesin. Le ta përfundojmë Marrëveshjen e Paqes!”, ka shkruar Trumpi në Truth Social. 

SHBA-ja ka intensifikuar kohët e fundit përpjekjet për të arritur një armëpushim në luftën e Ukrainës.

Palët deri më tani kanë arritur marrëveshje të kufizuara të armëpushimit, për të cilat ato kanë fajësuar vazhdimisht njëra-tjetrën se po i shkelin.

Ndërkohë, të mërkurën zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance ka paralajmëruar se Ukraina dhe Rusia duhet të pajtohet me propozimet e SHBA-së për armëpushim, përndryshe, ajo mund të tërhiqet nga procesi për t’u dhënë fund luftimeve.