Bota nuk e zgjedh presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ndikimi i zgjedhjeve të 5 nëntorit do të vërehet gjithandej. Republikani Donald Trump, që siguroi rikthimin në fron, është uruar menjëherë nga liderë të shumtë botërorë. Kryeministri izraelit e ka quajtur triumfin e tij “rikthimin më të madh në histori” e ai i Ukrainës ka vlerësuar angazhimin e Trumpit për paqe. Për fitoren kanë folur edhe në Rusi, porse nuk e kanë uruar
Duke e cilësuar epokë të artë për Amerikën fitoren e tij, presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka dhënë premtim në prag të fitores se do t’i ndalojë luftërat në botë.
“Për katër vjet nuk kemi pasur luftëra. Përveçse e mposhtëm ISIS-in, ata thanë se ‘ai do ta nisë një luftë’. Nuk do të nisë luftë. Unë do t’i ndaloj luftërat”, ka deklaruar ai para se t’i merrte votat vendimtare elektorale për të siguruar për herë të dytë postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me kthimin e Trumpit në pushtet pritet riformësimi i politikës së jashtme të SHBA-së. Tek ka premtuar ndryshime radikale në shumë sfera, bota po përballet me luftëra dhe pasiguri. Duke mbajtur fushatën për president, Trumpi në vazhdimësi ka përmendur premtimin – “Amerika e para”.
Rusia, Ukraina dhe NATO-ja
Gjatë fushatës Trumpi ka thënë vazhdimisht se mund t'i japë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës “brenda një dite”. Kur u pyet se si, ai pati deklaruar se do të ndodhte përmes një marrëveshjeje, por pa dhënë detaje.
Sipas një dokumenti të shkruar nga dy ish-shefat e sigurisë kombëtare të Trumpit thuhet se SHBA-ja do ta vazhdojë furnizimin me armë në Ukrainë, por do ta kushtëzojë mbështetjen me hyrjen e Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë.
Për të joshur Rusinë, Perëndimi, sipas dokumentit, do të vonojë hyrjen e shumëkërkuar të Ukrainës në NATO. Ish-këshilltarët kanë thënë se Ukraina nuk duhet të heqë dorë nga shpresat për të rikthyer të gjithë territorin nga pushtimi rus, porse duhet të negociojë bazuar në linjat aktuale të frontit.
Kundërshtarët demokratë të Trumpit, të cilët e akuzojnë për marrëdhënie të buta me presidentin rus, Vladimir Putin, kanë thënë se qasja e tij është dorëzim për Ukrainën dhe do të rrezikojë të gjithë Evropën.
Pritje konkrete pas fitores së Trumpit ka shprehur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendi i të cilit po përballet me agresionin rus tash e tre vjet gati.
“Më kujtohet takimi ynë i mrekullueshëm me presidentin Trump në shtator, kur diskutuam në detaje partneritetin Ukrainë- SHBA, planin e fitores dhe mënyrat për t'i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës. Unë e vlerësoj angazhimin e presidentit Trump për qasjen ndaj paqes në çështjet globale”, ka theksuar presidenti ukrainas.
Për dallim nga Zelensky, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se për Rusinë SHBA-ja mbetet “shtet armiqësor dhe vetëm koha do të tregojë nëse retorika e Trumpit për përfundimin e luftës në Ukrainë do të bëhet realitet”.
Qasja “Amerika e para” e Trumpit për t’i dhënë fund luftës shtrihet edhe në çështjen strategjike të së ardhmes së NATO-s, Aleancës ushtarake transatlantike “të gjithë për një dhe një për të gjithë” e krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, fillimisht si mburojë kundër Bashkimin Sovjetik. NATO tani ka 32 anëtarë dhe Trumpi ka qenë prej kohësh skeptik ndaj Aleancës. Nëse ai në të vërtetë do ta tërhiqte SHBA-në nga NATO, gjë që do ta sinjalizonte ndryshimin më të madh në marrëdhëniet e mbrojtjes transatlantike në gati një shekull, mbetet për t’u diskutuar. Disa nga të afërmit e Trumpit kanë thënë se linja e ashpër e republikanit është taktikë negociuese për t'i detyruar anëtarët të përmbushin udhëzimet e Aleancës për shpenzimet e mbrojtjes (2 për qind e Bruto Produktit Vendor). Por realiteti është se anëtarët e NATO-s janë seriozisht të shqetësuar me fitoren e Trumpit dhe çka do të thotë ajo për të ardhmen e Aleancës.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se Trumpi ka treguar lidership dhe se kur do ta marrë mandatin në janar do të gjejë një Aleancë shumë më të fortë. Sipas Ruttes, gjatë mandatit të parë të Trumpit, presidenti amerikan kishte treguar lidership dhe e kishte kthyer valën e shpenzimeve për mbrojtje në Evropë në trajektoren e rritjes duke e forcuar NATO-n.
Në disa raste ditëve të fundit ai është shprehur se pret që me Trumpin të vazhdohet forcimi i NATO-s dhe përkushtimi amerikan për Aleancën Euroatlantike.
“Kur Trumpi të marrë mandatin më 20 janar do ta gjejë një NATO ndryshe, më të madhe, më të fortë dhe më të bashkuar. Mbi dy të tretat e anëtarëve tash shpenzojnë më shumë se dy për qind të bruto produktit të brendshëm për mbrojtje. Duhet të vazhdojmë hapat për forcimin e kapaciteteve tona për të ruajtur paqe dhe prosperitetin e tërë Amerikës Veriore dhe Evropës”, ka shkruar në urimin e tij shefi i NATO-s.
Evropa
Edhe pse ndoshta shumica në Bashkimin Evropian kanë preferuar që Kamala Harris të fitojë zgjedhjet presidenciale amerikane, liderët evropianë ishin të përgatitur edhe për fitoren e Donald Trumpit. Kjo u pa edhe nga shpejtësia me të cilën liderët evropianë ia uruan fitoren edhe para se të shpallej formalisht ajo.
Gatishmëri për bashkëpunim me Trumpin ka shprehur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që pret së shpejti të nisë mandatin e dytë. Ajo ka thënë se raportet mes BE-së dhe SHBA-së janë më shumë sesa raporte aleatësh sepse janë thellësisht të murosura në historinë e përbashkët, me vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe qëllimeve të përbashkëta të sigurisë. Ajo ka kujtuar se miliona vende pune dhe miliarda euro vlerë tregtie e investimesh varen nga dinamika dhe stabiliteti i raporteve ekonomike BE-SHBA.
Triumfin e Trumpit kryeministri britanik e ka cilësuar historik.
“E përgëzoj presidentin e sapozgjedhur, Donald Trump, për fitoren e tij historike në zgjedhje. Si aleatët më të afërt, Britania e Madhe dhe SHBA-ja do të vazhdojnë të punojnë së bashku për t’i mbrojtur vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Mezi pres të punoj me të në vitet në vijim”, është shprehur Keir Starmer.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në urimin e tij ka shprehur gatishmërinë për të punuar bashkë sikurse gjatë presidencës së parë të Trumpit.
Ndërkaq kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka theksuar se nën administratën e tij do të ndryshojnë shumë gjëra.
“Presidenti Trump do të marrë detyrën në një kohë sfidash dhe krizash të mëdha. Shtetet e Bashkuara dhe presidenti kanë një rol qendror për të luajtur në tejkalimin e tyre. Sigurisht që shumë gjëra do të jenë të ndryshme nën një administratë të udhëhequr nga Donald Trumpi. Donald Trumpi e ka bërë gjithmonë të qartë këtë publikisht”, ka theksuar kancelari gjerman.
Në Bruksel e kanë uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhje para se ajo të zyrtarizohet. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursuva von de Lejen, e ka uruar republikanin duke thënë se raportet BE-SHBA janë përtej atyre të aleatëve.
Lindja e Mesme
Ashtu si me Ukrainën, Trumpi ka premtuar të sjellë “paqe” në Lindjen e Mesme - duke lënë të kuptohet se do t’i jepte fund luftës Izrael-Hamas në Gazë dhe luftës Izrael-Hezbollah në Liban - por nuk ka treguar se si.
Ai ka thënë vazhdimisht se nëse do të kishte qenë në pushtet ai dhe jo Joe Biden, Hamasi nuk do të kishte sulmuar Izraelin për shkak të politikës së tij të “presionit maksimal” ndaj Iranit, i cili financon grupin.
Trumpi besohet se do ta vazhdojë politikën e ashpër ndaj Iranit. Në mandatin e parë ai pati larguar SHBA-në nga marrëveshja bërthamore me Iranin, pati vendosur sanksione dhe vrau gjeneralin Qasem Soleimani – komandantin më të fuqishëm ushtarak iranian.
E pas fitores së Trumpit, zëdhënësja e Qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, u shpreh se rezultatet e zgjedhjeve në SHBA nuk do të ndikojnë shumë në Iran.
Sa ishte në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi pati miratuar politika të forta proizraelite, duke e emëruar Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe duke zhvendosur Ambasadën e SHBA-së atje nga Tel-Avivi.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte ndër të parët, duke e quajtur fitoren e tij “rikthimin më të madh në histori”. Ai nuk ka folur për qasjen që presidenti i ri pritet ta ketë në konfliktin e Lindjes së Mesme. Trumpin e ka quajtur “mikun më të mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”.
Kritikët e Trumpit megjithatë kanë vlerësuar se politika e tij kishte efekt destabilizues në rajon.
Palestinezët patën bojkotuar administratën Trump pas vendimit që Jerusalemi të ishte kryeqytet i Izraelit.
Ata u izoluan më tej kur Trumpi ndërmjetësoi të ashtuquajturën “Marrëveshje të Abrahamit”, e cila u cilësua si marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe disa vendeve arabe dhe myslimane. Ata e bënë këtë pa pasur nevojë që Izraeli të pranonte shtet të pavarur palestinez - e ashtuquajtura zgjidhja me dy shtete. Më herët vendet arabe e kishin kusht që Izraeli ta njihte Palestinën para se të nënshkruanin ndonjë marrëveshje rajonale.
Vendeve arabe që nënshkruan marrëveshjen me Izraelin iu dha qasje në armët e avancuara amerikane në këmbim të njohjes së Izraelit.
Trumpi bëri disa deklarata gjatë fushatës duke thënë se dëshiron që lufta në Gazë të përfundojë. Ai ka pasur marrëdhënie komplekse, ndonjëherë jofunksionale me Netanyahun, por sigurisht që ka aftësinë për të ushtruar presion ndaj tij.
Ai gjithashtu ka histori të marrëdhënieve të forta me liderët në vendet kryesore arabe që kanë kontakte me Hamasin.
Është e paqartë se si Trumpi në njërën anë do të tregojë mbështetje për Izraelin, ndërkohë që do të përpiqet ta mbyllë luftën.
Aleatët e Trumpit shpesh e kanë portretizuar paparashikueshmërinë e tij si aset diplomatik, por në Lindjen e Mesme të paqëndrueshme, në mes të një krize tashmë me përmasa historike, nuk është e qartë se si do të ndodhte kjo.
Trumpi do të duhet të vendosë se si - ose nëse - do të çojë përpara procesin e ngecur diplomatik të nisur nga administrata Biden për armëpushim në Gazë në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Kina dhe tregtia
Qasja e Amerikës ndaj Kinës është fusha më e rëndësishme strategjike e politikës së jashtme - dhe ajo që ka implikimet më të mëdha për sigurinë dhe tregtinë globale.
Kur ishte në detyrë, Trumpi e pati kualifikuar Kinën si “konkurrent strategjik” dhe i pati vendosur tarifa për disa importe kineze në SHBA. Kjo kishte shkaktuar kundërpërgjigje nga Pekini për importet amerikane.
Pati përpjekje për të shtensionuar mosmarrëveshjet tregtare, por pandemia COVID-19 e humbi mundësinë dhe marrëdhëniet u përkeqësuan pasi ish-presidenti e cilësoi Covidin “virus kinez”.
Në anën tjetër, administrata Biden ka pretenduar të ketë qasje më të përgjegjshme ndaj politikës së Kinës - por i ka mbajtur në fuqi shumë nga tarifat e vëna gjatë kohës së Trumpit mbi importet.
Trumpi e ka cilësuar presidentin kinez Xi Jinping si “të shkëlqyer” dhe “të rrezikshëm” dhe një udhëheqës shumë efektiv që kontrollon 1.4 miliardë njerëz me “grusht të hekurt” - pjesë e asaj që kundërshtarët e karakterizuan si admirim të Trumpit për “diktatorët”.
Presidenti i 47-të i SHBA-së duket se do të largohet nga qasja e administratës Biden për ndërtimin e partneriteteve më të forta të sigurisë me vendet e tjera të rajonit në një përpjekje për të frenuar Kinën.
SHBA-ja ka vazhduar ndihmën ushtarake për Tajvanin e vetëqeverisur, të cilin Kina e sheh si provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e Pekinit.
Trumpi ka thënë në tetor se nëse do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të duhej të përdorte ushtrinë për të parandaluar pushtimin e mundshëm të Tajvanit nga Kina. Ka paralajmëruar se do të vendoste tarifa paralizuese për importet kineze, nëse ndodh pushtimi i Tajvanit.