Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nuk ka imunitet presidencial dhe mund të ndiqet penalisht nën akuzat për komplot për ta përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ka vendosur një gjykatë në SHBA, njofton “BBC” të martën.
Trump kishte pretenduar, në një çështje ligjore historike, se ka imunitet nga akuzat penale për veprimet për të cilat tha se u përkisnin detyrave të tij si president.
Por, vendimi i së martës në Washington DC e rrëzoi këtë pretendim.
Është një goditje për Trumpin, që me vite ka përmendur imunitetin presidencial ndërsa po luftonte me shumë raste.
Ish-presidenti pritet ta apelojë vendimin, që nënkupton se rasti përfundimisht do të shkojë në Gjykatë Supreme ku konservativët kanë shumicë, 6:3.
Prokurori i posaçëm Jack Smith ngriti aktakuzë ndaj Trumpit 77-vjeçar, me pretendimin se ka bërë komplot për ta përmbysur fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020 dhe ka kryer mashtrim duke tentuar të qëndrojë në post.
Gjyqi për atë rast ishte paraparë të niste më 4 mars, por u shty pasi po pritej vendimi mbi pretendimet e Trumpit për imunitet.
Mund të shtyhet edhe disa javë, apo muaj, nëse rasti përfundon në Gjykatën Supreme.
Më herët këtë muaj, një panel i gjyqtarëve dëgjoi rastin në Gjykatën e Apelit në Washington DC.
Argumenti nga avokati i Trumpit varej nga ideja se një president, që nuk është dënuar për “impeachment” nga Kongresi nuk mund të jetë subjekt i procedimeve penale.
Trump, tha ai, u fajësua nga Dhoma e Përfaqësuesve, por nuk u dënua kurrë nga Senati.
Megjithatë, gjyqtarët tingëllonin skeptik. Gjykatësja Florence Pan sugjeroi që, me imunitet, një president mund të shesë sekrete shtetërore ose të urdhërojë vrasjen e një rivali politik pa u shqetësuar për ndjekje penale.
Është njoftuar se Trumpi do ta apelojë vendimin.
Steven Cheung, zëdhënës i fushatës së Trumpit ka folur për vendimin.
“Nëse nuk i jepet imuniteti një presidenti, edhe presidentët e ardhshëm në momentin kur largohen nga detyra menjëherë do të ndiqen penalisht nga partitë opozitare. Pa imunitet të plotë, një president i SHBA-së nuk do të jetë në gjendje të funksionojë si duhet. Presidenti Trump nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës së Apelit në Qarkun e Washington DC dhe do ta apelojë vendimin për ta ruajtur Presidencën dhe Kushtetutën”, ka thënë Cheung.