Shtëpia e Bardhë ka ndaluar grantet dhe huatë federale duke filluar nga e marta, teksa administrata e presidentit, Donald Trump, ka nisur një rishikim gjithëpërfshirës të shpenzimeve të saj.
Ngrirja e financimit nga administrata republikane mund të ndikojë në triliona dollarë dhe të shkaktojë polemika në aspektet e kujdesit shëndetësor, programet arsimore dhe nisma të tjera. Edhe grantet që janë dhënë por nuk janë shpenzuar supozohet të ndërpriten, raporton AP.
"Përdorimi i burimeve federale për të çuar përpara barazinë marksiste, transgjinorizmin dhe politikat e inxhinierisë sociale të marrëveshjes së re të gjelbër, është një humbje e dollarëve të taksapaguesve që nuk përmirëson jetën e përditshme të atyre që u shërbejmë”, thuhet në një memorandum të lëshuar nga Matthew Vaeth, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit.
Vaeth ka thënë se të gjitha shpenzimet duhet të jenë në përputhje me urdhrat ekzekutivë të Trumpit, të cilat synojnë të zhbëjnë hapat progresiv mbi të drejtat transgjinore, drejtësinë mjedisore dhe diversitetin, barazinë dhe përfshirjen.
Vaeth ka shkruar se "secila agjenci duhet të përfundojë një analizë gjithëpërfshirëse të të gjitha programeve të saj të ndihmës financiare federale për të identifikuar programet, projektet dhe aktivitetet që mund të implikohen nga ndonjë prej urdhrave ekzekutivë të presidentit".
Washingtoni është një qendër shpenzimesh që rrjedhin drejt departamenteve të ndryshme, qeverive lokale, organizatave jofitimprurëse dhe kontraktorëve, dhe memorandumi ka bërë që shumë njerëz që varen nga ato të pyesin se në çfarë mënyre do të ndikohen.
Pauza është shembulli më i fundit se si Trumpi po shfrytëzon fuqinë e tij mbi sistemin federal për të çuar përpara qëllimet e tij konservatore.