Botë

Trumpi “mendon” që Zelensky është i gatshëm t’ia dorëzojë Krimenë Rusisë

Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ai mendon se homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky është i gatshëm t'i dorëzojë Krimenë Rusisë, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, pavarësisht refuzimeve të mëparshme të Kievit për çdo propozim të tillë.

I pyetur nëse mendonte se presidenti ukrainas ishte gati të dorëzonte kontrollin e gadishullit të tij jugor, i cili u aneksua ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, Trump është përgjigj: "Unë mendoj se po".

Trump i ka kërkuar gjithashtu presidentit rus, Vladimir Putin të "ndalojë të shtënat, të ulet dhe të nënshkruajë një marrëveshje" për t'i dhënë fund luftimeve, duke sugjeruar se kjo mund të arrihet brenda dy javësh, raporton BBC.

Ai i ka bërë komentet para gazetarëve pasi u kthye nga Vatikani, ku zhvilloi një takim të shkurtër me Zelenskyn përpara funeralit të Papa Françeskut.

Presidentët Trump dhe Zelensky kanë zhvilluar një takim kokë më kokë në Vatikan në margjinat e funeralit të Papës të shtunën.

Trumpi ka thënë se takimi kishte "shkuar mirë" dhe se Krimeja ishte diskutuar "shumë shkurt".

Ukraina ka refuzuar në mënyrë të përsëritur të bëjë ndonjë lëshim territorial, duke theksuar se çështjet në lidhje me tokën duhet të diskutohen vetëm pasi të arrihet një armëpushim.

As Zelensky dhe as presidenti rus, Vladimir Putin nuk i janë përgjigjur publikisht komenteve të fundit të Trumpit.

Më herët të dielën, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka paralajmëruar Ukrainën që të mos pajtohet me një marrëveshje që përfshin lëshime gjithëpërfshirëse territoriale në këmbim të një armëpushimi.

Ai i ka thënë transmetuesit publik gjerman ARD se Kievi "nuk duhet të shkojë aq larg sa propozimi i fundit i presidentit amerikan", për të cilin ai ka thënë se do të përbënte një "kapitullim".

Ministri gjerman ka thënë po ashtu se Ukraina e dinte se mund t'i duhej të lëshonte territor për të siguruar një armëpushim.

“Por ata me siguri nuk do të shkojnë aq larg, ose nuk duhet të shkojnë aq larg sa propozimi i fundit i presidentit amerikan”, ka thënë Pistorius.

Trump ka thënë javën e kaluar se "shumica e pikave kryesore të marrëveshjes janë rënë dakord".

Raportet sugjerojnë se Ukrainës mund t'i kërkohet të heqë dorë nga pjesë të mëdha të tokës së kapur nga Rusia, përfshirë Krimenë.

Të premten, agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se kishte parë propozime nga SHBA-ja që përfshinin pranimin ligjor amerikan të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe njohjen de facto të kontrollit rus të zonave të tjera të pushtuara, duke përfshirë të gjithë Luhanskun në lindje të vendit.

Reuters thotë se ka parë gjithashtu kundërpropozime nga Evropa dhe Ukraina, të cilat thuhet se thonë se palët do të diskutojnë se çfarë do të ndodhë me territorin e pushtuar ukrainas pasi të ketë hyrë në fuqi një armëpushim.

Plani i SHBA-së përjashton gjithashtu anëtarësimin e Ukrainës në aleancën ushtarake të NATO-s dhe sheh një "koalicion të vullnetshëm" të udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca që ofron një garanci sigurie pasi të jetë në fuqi një armëpushim pa përfshirjen e SHBA-së.

Ndërkohë evropianët duan që SHBA-ka të japë garanci "të fuqishme" në formën e një angazhimi të hekurt të stilit të NATO-s për t'i ardhur në ndihmë Ukrainës nëse ajo sulmohet.

SHBA-ja thuhet se më tej propozon të marrë kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, aktualisht i pushtuar nga Rusia, i cili më pas do të sigurojë energji elektrike për Rusinë dhe Ukrainën. 

Në një intervistë me revistën Time këtë javë, Trumpi ka fajësuar edhe një herë Kievin për fillimin e luftës, duke përmendur ambiciet e tij për t'u bashkuar me NATO-n.

E të dielën, sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio i ka kërkuar Rusisë dhe Ukrainës që të ecin përpara për të siguruar një marrëveshje paqeje.

"Kjo duhet të ndodhë së shpejti. Ne nuk mund të vazhdojmë t'i kushtojmë kohë dhe burime kësaj përpjekjeje nëse nuk do të realizohet”, ka deklaruar ai për NBC.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar kohët e fundit se do të largohen nga negociatat nëse nuk arrihet përparim.

Rusia ka nisur një pushtim të plotë të Ukrainës në vitin 2022 dhe Moska aktualisht kontrollon pothuajse 20% të territorit ukrainas.