Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se mund të vendosë tarifa shtesë ndaj Kinës prej të martës (8 prill), në rast se Pekini zyrtar s'i tërheqë tarifat hakmarrëse prej 34 për qind ndaj SHBA-së.
Tarifat shtesë ndaj Kinës do të shkonin në 50 për qind, ka njoftuar Trump, raportoi BBC.
Kina ka njoftuar javën e kaluar se do të vendoste tarifa të tilla ndaj Shteteve të Bashkuara, pasi Shtëpia e Bardhë tha se nga 9 prilli do të vendoste taksa për të gjitha mallrat nga Pekini.
Ai të hënën ka shkruar në rrjetin social “Truth Social” se “vendet po flasin për ne dhe se parametra të ashpër, por të drejtë po vendosen”.
“Gjithçka duhet të ndryshojë, por sidomos me KINËN”, ka shkruar ai, derisa ka folur për raportet me Japoninë
Trump s’po mendon pezullimin e tarifave
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se nuk është duke menduar t’i pauzojë tarifat e reja për të lejuar negociatat me vendet e tjera, raporton “BBC”.
Ishte raportuar më herët se Washingtoni do të pezullojë tarifat për 90 ditë, por këto pretendime u hodhën poshtë nga Shtëpia e Bardhë.
E duke folur të hënën nga Zyra Ovale, Trump tha se nuk po mendohet për pezullim.
“Ne nuk po e shikojmë këtë. Kemi shumë e shumë vende që po vijnë për të negociuar marrëveshje me ne dhe do të ketë marrëveshje të drejta”, tha Trump.
Ai ka përsëritur kërcënimin për t’i vendosur një tarifa shtesë prej 50 për qind ndaj mallrave kineze, nëse Pekini nuk tërhiqet nga tarifat e saja reciproke deri të martën.
E Trump ka thënë se po bën “përparim të jashtëzakonshëm me shumë vende”.