Brenda orësh nga marrja e detyrës, presidenti amerikan Donald Trump ia ka ndërprerë mbrojtjen nga Shërbimi Sekret ish-këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton.
Bolton, i cili e la Shtëpinë e Bardhë në nëntor 2019, ka kërkuar mbrojtje nga Shërbimi Sekret i SHBA-së për shkak të kërcënimeve kundër tij nga Irani. Trumpi fillimisht pati ndërprerë mbrojtjen ndaj tij pasi ishte larguar nga administrata në mandatin e parë, por presidenti Joe Biden ia kishte rikthyer me të marrë detyrën.
“Jam i zhgënjyer por jo i befasuar që presidenti Trump e ka marrë këtë vendim. Departamenti i Drejtësisë ngriti padi penale kundër një zyrtari të Gardës Revolucionare të Iranit më 2022 për përpjekje për të punësuar një vrasës që të më vë në shënjestër. Ky kërcënim vazhdon edhe sot, siç tregohet nga arrestimi i fundit i një personi që u përpoq të organizojë vrasjen e presidentit Trump”, ka thënë Bolton për CNN.
Pas vrasjes së zyrtarit iranian, Qasem Soleimani, me urdhër të Trumpit më 2020, Departamenti i Drejtësisë pati thënë se qeveria iraniane kërkonte hakmarrje kundër zyrtarëve të lartë të Trumpit që ishin të përfshirë me vrasjen, që përfshinte Boltonin, edhe pse ai nuk ishte në administratë në kohën kur ndodhi vrasja.