Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë pezulluar ndihmat ushtarake për Ukrainën, ka njoftuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, duke bllokuar miliarda dërgesa, ka raportuar TheGuardian të martën.
Vendimi përfshin dërgesa të municioneve, automjeteve dhe pajisjeve të tjera, duke përfshirë edhe dërgesat që ishin dhënë në mandatin e Joe Bidenit si president.
Ky vendim vjen pas tensioneve të krijuara në Zyrën Ovale të premten (28 shkurt) mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky. Një zyrtar amerikan ka deklaruar për Fox News se ndihmat janë pezulluar përkohësisht.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar se SHBA-ja e ka derën e hapur për bisedime për paqe.
“Për sa kohë që Zelensky është i gatshëm të flasë seriozisht për paqen. Ju nuk mund të hyni në Zyrën Ovale apo kudo tjetër dhe të refuzoni t'i diskutoni as detajet e një marrëveshjeje për paqe. Kur ata janë të gatshëm të flasin për paqe, mendoj se presidenti Trump do të jetë personi i parë që do ta marrë telefonin”, është shprehur ai.
Trump e ka akuzuar gjatë tërë kohës Zelenskyn se nuk është i interesuar për paqe, derisa të premten marrëveshja për mineralet nuk u nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri ukrainas: Do të vazhdojmë bashkëpunimin me SHBA-në
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha se Ukraina duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas ndaljes së furnizimeve ushtarake.
Ai tha të martën para mediave se nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe të tjera do të vazhdohet bashkëpunimi, “për t'u siguruar që Ukraina e SHBA-ja të vazhdojnë të luftojnë për paqe të qëndrueshme”.
Ai ka shtuar se Ukraina është gati të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet, që do t'i jepte SHBA-së qasje në depozitat ukrainase të mineraleve të rralla të tokës.
Ai e ka falënderuar Amerikën për tri vitet e mbështetjes së vazhdueshme.
Rusia: Ndalja e furnizimit me armatim shtyn regjimin e Kievit drejt paqes
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka quajtur lajm të mirë ndaljen e mbështetjes ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Ai ka thënë të martën se ky vendim mund ta shtyjë regjimin e Kievit drejt një procesi paqeje.
Sipas tij, ndalja e furnizimeve për Ukrainën i kontribuon paqes.
“Sigurisht, ne ende duhet t’i kontrollojmë detajet, por nëse është e vërtetë, atëherë ky është një vendim që me të vërtetë mund ta shtyjë regjimin e Kievit drejt një procesi të paqes. Nëse Shtetet e Bashkuara i ndalojnë këto furnizime, ky ndoshta do të jetë kontributi më i mirë për kauzën e paqes”, ka thënë Peskov.
Disa prej vendeve evropiane e kanë quajtur shqetësues ndaljen e furnizimit me armatim.
BE-ja mobilizohet për industrinë e mbrojtjes
Planet e reja të Bashkimit Evropian për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake mund të mobilizojnë deri në 800 miliardë euro, ka deklaruar të martën Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit të BE-së, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
BE-ja do të propozojë që vendeve anëtare t’u jepet më shumë hapësirë fiskale për investime në mbrojtje, si dhe 150 miliardë euro në borxhe për këto investime, dhe do të synojë gjithashtu mobilizimin e kapitalit privat, ka shtuar Von der Leyen.
“Ne jemi në një epokë riarmatimi. Evropa është e gatshme që në mënyrë masive të rrisë shpenzimet e saj për mbrojtje. Për të dyja, për t’ju përgjigjur urgjencës së shkurtër për të mbështetur Ukrainën, por gjithashtu edhe për nevojën afatgjate për më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë evropiane”, ka deklaruar ajo.
Ky reagim ka ardhur pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar se ai do të pezullojë të gjithë ndihmën për Ukrainën, pas takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Çfarë ndihma ushtarake i ka dhënë SHBA-ja Ukrainës para pezullimit
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Ukrainës mbështetje ushtarake me vlerë 65.9 miliardë dollarësh. Por ndihmat e ardhshme nuk dihet a do të vazhdojnë pas ndalesës së të hënës nga administrata e presidentit, Donald Trump, ka raportuar “The Guardian”.
Presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, ka miratuar ndihmat ushtarake për Ukrainën, përmes asaj që Departamenti i Shtetit e ka quajtur “mbështetje të paepur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Por kjo ndryshoi me qasjen ndryshe të Trumpit.
Lista e disa prej ndihmave ushtarake të SHBA-së për Ukrainën:
Mbrojtje ajrore
Pas sulmeve të mëdha ajrore nga forcat ruse, Washingtoni ka dërguar materiale të sofistikuara të mbrojtjes ajrore, që përfshijnë edhe tri bateri të raketave tok-ajër Patriot. Edhe disa aleatë evropianë kanë dërguar sisteme të njëjta.
Sisteme të tjera të mbrojtjes përfshinë 12 Nasams dhe sisteme dhe municione të Hawk, si dhe më shumë se 3,000 raketa kundër ajror Stinger.
Për të përmirësuar efektivitetin e tyre, Ukrainës i janë dhënë edhe 21 sisteme të radarit për detektim, bashkë me pajisje që integrojnë sistemet dhe raketat perëndimore me sistemet ukrainase.
Raketa dhe mortaja
SHBA-ja i ka dërguar më shumë se 200 artileri 155mm bashkë me tre milionë municione, 72 artileri 105 mm dhe një milion municione, dhe mbi 700,000 mortaja.
Më shumë se 40 sisteme Himar, si dhe lëshues raketash të montuar në automjete të lehta që ishin dërguar bashkë me municionin.
Po ashtu Ukrainës i janë dhënë më shumë se 10,000 raketa anti-tank Javelin, që u bënë simbol i rezistencës ukrainase kundër pushtimit rus gjatë javëve të para të luftës.
Më shumë se 120,000 armë tjera kundër automjeteve janë dërguar, si dhe 10,000 raketa anti-tank Tow.
Për armë më të vogla, më shumë se 500 milionë municione dhe granata, janë dërguar për ushtarët ukrainas.
Tanke dhe helikopterë
Deri vonë Pentagoni ka refuzuar dërgimin e armëve ajrore direkt në Kiev, por administrata e Bidenit ka dërguar 20 helikopterë Mi-17 me dizajn sovjetik. Po ashtu ka dërguar shumë lloje të dronëve.
Pas vonesave të shumta gjatë administratës Biden, Washingtoni ka dërguar 31 tanke Abrahams, që është tanku i rëndë më i avancuar i SHBA-së, gjatë janarit të 2023-tës, po ashtu edhe 45 tanke T-72B me dizajnë sovjetike.
Lista e Departamentit të Shtetit po ashtu përfshin edhe 300 automjete Bradley, 1,300 automjete transportuese, më shumë se 5,000 automjete Humvee dhe 300 ambulanca të blinduara.
Po ashtu Washingtoni ka dërguar më shumë se 100 barka patrullimi, sisteme të mbrojtjes bregdetare, mina Claymore, sisteme satelitore të komunikimit, pajisje për shikim natën dhe më shumë se 100,000 sete të mbrojtjes së trupit.
Pas 20 janarit?
Të dhënat e më sipërme janë nga 20 janari, orët finale të administratës Biden.
Që kur Trumpi ka marrë detyrën, Washingtoni ka vazhduar të dërgojë në Ukrainë atë që zyrtarët e mbrojtjes në SHBA e kanë quajtur “municion kritik” të miratuar nga administratat e kaluara, që përfshinte armë kundër tankeve dhe municione të artilerisë.
Autoritetet franceze thonë se pezullimi i ndihmave amerikane e forcon Rusinë
Autoritetet franceze thanë se vendimi i SHBA-së për ndaljen e ndihmave ushtarake për Ukrainën e bën më të largët arritjen e paqes. Benjamin Haddad, ministër i Francës për Evropë, ka thënë se pezullimi i armëve e forcon dorën e agresorit.
“Në esencë, nëse doni paqe, një vendim për t'i pezulluar armët në Ukrainë e përforcon paqen apo e bën atë më të largët? E bën më të largët, sepse vetëm e forcon dorën e agresorit në tokë, që është Rusia”, ka thënë Haddad.
Pezullimi i presidentit Donald Trump përfshin municione, automjete dhe pajisje të tjera.
Qeveria e Hungarisë e ka mbështetur vendimin e presidentit Donald Trump për pezullimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Zëdhënësi i Qeverisë së Viktor Orbanit ka thënë se Hungaria ka të njëjtin qëndrim.
Qeveria e Hungarisë e ka mbështetur vendimin e presidentit Donald Trump për pezullimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Zëdhënësi i Qeverisë së Viktor Orbanit ka thënë se Hungaria ka të njëjtin qëndrim.
“Presidenti i SHBA-së dhe qeveria hungareze ndajnë të njëjtin qëndrim, në vend të vazhdimit të dërgesave të armëve dhe luftës, nevojitet një armëpushim dhe bisedime paqeje sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftim, ka raportuar TheGuardian.