Botë

Trumpi ia heq të drejtën për informacione të klasifikuara edhe Harrisit e Clintonit

Trump & Harris

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ia  ka hequr të drejtën për qasje në informacione të klasifikuara ish-rivaleve demokrate, Kamala Harris dhe Hillary Clinton, si dhe një numri të ish-zyrtarëve të lartë, ka raportuar “BBC”.

Trumpi në shkurt ia hoqi këto të drejta edhe ish-presidentit Joe Biden.

“Kam vendosur se nuk është më në interesin kombëtar që individët e përmendur të kenë qasje në informacione të klasifikuar”, shkruhej në memorandumin e Trumpit.

Ish-presidentët e SHBA-së dhe zyrtarët e lartë të sigurisë zakonisht e mbajnë të drejtën për qasje në informacione të klasifikuara.

Ish-sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ish-ligjvënësit republikanë, Liz Cheney dhe Adam Kinzinger dhe ish-këshilltares për Rusinë në administratën e parë të Trumpit, Fiona Hill, janë emrat e tjerë që e kanë humbur këtë të drejtë.

Më herët, Trumpi ia ka larguar këtë të drejtë edhe rreth 50 zyrtarëve të inteligjencës të cilët i akuzonte për përfshirje në zgjedhjet e 2020-s në favor të Bidenit, por nuk ka ofruar prova për këtë.

Në vitin 2021, Bideni – i cili po shërbente si president në atë kohë – i pati larguar Trumpit qasjen në informimet e inteligjencës duke e cituar sjelljen e tij “të paparashikueshme”.