Botë

Trumpi i vendosur për tarifat

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u është përgjigjur polemikave rreth tarifave që ai u ka vendosur të gjitha vendeve që kanë tarifa ndaj produkteve amerikane. Ai është shprehur i vendosur për politikat e tij, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”. 

“Për investitorët e shumtë që po vinë në Shtetet e Bashkuara dhe të cilët po investojnë shifra masive parash, politikat e mia kurrë nuk do të ndryshojnë. Kjo është një kohë shumë e mirë për t’u bërë të pasur, më të pasur se kurrë më parë”, ka shkruar Trumpi në rrjetin e tij social “TruthSocial”. 

Trumpi shpalli të mërkurën tarifat e reja në atë që e ka cilësuar si “dita e çlirimit” për SHBA-në nga varësia e mallrave të huaja. 

Në kuadër të fjalimit, Trumpi ka paraqitur një grafik të tarifave reciproke për pothuajse secilin partner tregtar, ku figuruan tarifa prej 10 për qind për Britaninë e Madhe, 20% për Bashkimin Evropian, 34% për Kinën dhe tarifa të tjera për shumë vende të tjera. 

Ai ka vendosur gjithashtu tarifa universale prej 10% për të gjitha importet në SHBA, që priten të hyjnë në fuqi më 5 prill në atë që po konsiderohet si një moment vendimtar për tregtinë globale.

Ndërsa të premten Ministria kineze e Financave ka njoftuar se nga 10 prilli, do të hyjnë në fuqi tarifa 34% në produktet amerikane.